Çështja “Beleri”, dëshmojnë në GJKKO kancelari i Prokurorisë së Vlorës dhe kancelarja e Gjykatës Vlorë

Në Gjykatën e Posaçme në procesin në ngarkim të Fredi Belerit, janë pyetur Kancelari i prokurorisë së Vlorës Përparim Hoxha dhe kancelarja e gjykatës së Vlorës, Frida Gani.

Hoxha u shpreh se nuk ka akses te protokolli dhe te regjistrat, pasi këtë funksion e kryen kryesekretarja. Sipas tij, ai nuk ka përpiluar asnjë dokument për SPAK apo GJKKO për çështjen e Fredi Belerit.

“Unë nuk kam akses as tek protokolli as tek regjistrat e çështjeve. Këtë funksion e kryen kryesekretarja e cila herë pas here ndihmohet edhe nga persona të tjerë, për shkak të volumit të punës. Nuk ka në prokurorië e Vlorës, një punonjës specifik për protokollin. Si Kancelar nuk kam përpiluar asnjë shkresë apo dokument për SPAK dhe GJKKO, për çështjen Beleri. Prokurorët e gatshëm përcaktohen nga drejtuesi i prokurorisë, çdo muaj. Në rast të zgjedhjeve ka më shumë prokurorë të gatshëm, për shkak të ngjarjeve”, u shpreh Hoxha.

Ndërsa  Frida Gani, kancelarja e gjykatës së Vlorës, tha se edhe ajo nuk merret me regjistrat apo protokollet, pasi dosjet sekrete vijnë të mbyllura me zarf dhe më pas zarfi i dërgohet gjyqtarit të gatshëm.

“Kancelari nuk merret me regjistrat ose protokollet me këto merret kryesekretarja. Dosjet sekrete nga prokuroria vijnë të mbyllura me zarf, shënohet në regjistër dhe më pas i dërgohet zarf i pahapur gjyqtarit që është i gatshëm. Për veprime të ngutshme nuk e di nëse administrata ka dalë jashtë orarit zyrtarë 08:00-16:00”, tha ajo në GJKKO.