Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari gjatë një konference për mediat u pyet sot në lidhje me çështjen “Balluku” dhe ankimimit që qeveria bëri ndaj GJKKO, që vendosi pezullimin nga detyra të zv.kryeministres, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për tunelin e Llogarasë.
Lamallari tha se qëndrimi i mazhorancës ka qenë i qartë duke shtuar se Kushtetuta përcakton qartë që ministrat gëzojnë imunitetin e deputetëve.
“Besoj që qëndrimi i mazhorancës ka qenë i qartë. Siç ju jeni të njohur, kryeministri ka ushtruar të drejtën e tij për të vënë në lëvizje Gjykatën kushtetuese, argumentet janë të paraqitura aty. Ku në thelb qëndron pretendimi i një pushteti, pra pushtetit ekzekutiv, për tejkalim të pushtetit, nga pushteti gjyqësor Këtu kemi të bëjmë edhe me pushtetin legjislativ, që konfirmon mandatin e ministrave, përfshirë. Kushtetuta përcakton qartë se ministrat gëzojnë imunitetin e deputetëve”, theksoi ai.
Lamallari u pyet edhe për amnistinë penale, ku tha se do të jenë 10 mijë qytetarë që do të përfitojnë, por nuk ka dha një afat se kur do të vihet në zbatim.
“Nga amnistia penale pritet që të përfitojnë mbi 10 mijë persona të cilët janë dënuar për vepra të ndryshme penale, por edhe ata për të cilët janë nën ndjekje penale për vepra të lehta. Kemi grupe të vulnerabël, të cilët kanë kryer vepra të lehta, që përfitojnë nga amnistia”, tha Lamallari.