Censusi i popullsisë “nxeh gjakrat” dhe në juglindje, Maqedonia dhe Bullgaria përplasen për Pustecin

Ambasadori i Bullgarisë Ivaylo Kirov ishte këtë të mërkurë në Pustec në qendrën shëndetësore ku solli donacione për këtë spital.

Sa i takon rezultatit të pritshëm të censit, ambasadori Kirov është shprehur se Bullgaria nuk lufton për numra dhe kushdo është i mirëpritur për të shprehur etninë. “Nuk duam të luftojmë me vëllezërit të Maqedonisë së Veriut”, tha ai.
Më tej ka shtuar se nuk janë të shqetësuar për censin, por duhet të ndryshojnë mënyrën sesi njerëzit mendojnë për Bullgarinë.

Por ky gjest po shihet me shqetësim nga pala maqedonase, e cila pretendon se Bullgaria po përpiqet të ushtrojë presion dhe të manipulojë qytetarët.

Eftim Mitrevski, nënkryetari i Partisë Aleanca Maqedonase për Integrim tha se Bullgaria po bën presion ndaj minoritetit maqedonas në Pustec.

“Është krejtësisht jo normale, është perzierje në punët e brendshme të këtij shteti si vizitë e ambasadorit ashtu dhe nënpresidentes bullgare. Ajo duhej përzënë nga Shqipëria, duhej dhënë ultimatum, duhet të linte shtetin shqiptar dhe të dilte jashtë kufijve të Shqipërisë. Si e lejon shteti shqiptar që personalitete të tilla në kohën e Censit të ushtrojnë propagandë këtu, ne jemi qytetarë shqiptarë, mbushim mot 100 vite që ky shtet shqiptar na ka njohur, me institucione, në asnjë dokumente të shtetit shqiptar nuk figuron bullgar. Vizita e ambasadorit bullgar është krejtësisht e gabuar”, tha ai.

Pusteci njihet ligjërisht si zona ku banon minoriteti maqedonas, ndërsa vitet e fundit, disa banorë të zonës së Prespës së Madhe kanë përfituar pasaporta bullgare, duke u vetëdeklaruar me etni bullgare. Ende nuk ka një numër të saktë për bullgarët që jetojnë në Pustec.