Një projektligj i ri i qeverisë për “Për Shkencën dhe kërkimin shkencor” u prit me kundërshtime nga përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë gjatë shqyrtimit të tij të hënën në Kuvend.
Të thirrur në dëgjesë në Komisionin për Edukimin dhe Median, rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha dhe rektorë të universiteteve të tjera publike dhe private në vend ngritën shqetësimet e tyre se dispozitat e reja janë anti-kushtetuese, cënojnë lirinë shkencore dhe nuk zgjidhin problematikat e vërteta që ka fusha e kërkimit shkencor.
“Është deklarativ dhe nuk zgjidh asgjë,” tha Hoxha, duke shtuar se “në vend që të bëjmë një rregullim për shkencën do të krijonim një anomali për shkencën, ose një ligj që vjen në kundërshtim me Kushtetutën me dispionimet kushtetuese”
Konferenca e Rektorëve, ku Hoxha është kryetar, i ka dërguar Kuvendit një oponencë të gjatë me argumente kundër draftit qeveritar, duke kërkuar tërheqjen e tij nga diskutimi ose riformulimin e tij nga Kuvendi duke marrë parasysh shqetësimet e universiteteve.
“Kemi kërkuar pezullim të procedurave parlamentare”- tha ai duke iu referuar kësaj shkrese dhe argumentoi se ligji shkel lirinë e kërkimit shkencor, i mbivendoset ligjit për Arsimin e Lartë duke krijuar një kontradiktë në zbatimin e tij.
Hoxha e cilësoi të “trishtë” faktin që projektligji është miratuar në dy komisione të tjera parlamentare, atë të Ligjeve dhe të Financave.
“Nëse kjo është gjendja e faktit të kryer i bie që ne të flasim dhe të mos sjellim asnjë efekt pozitiv në proces,” iu drejtua ai deputetëve.
Ligji i ri parashikon ngritjen e një organi të ri mbikqyrës “Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor”, i cili do të drejtohet nga Kryeministri. Pavarësisht se ky organ do të ketë vetëm rol këshillues praktikisht merr përsipër të rekomandojë, jo vetëm politikat mbështetëse në këtë drejtim, por dhe të orientojë fushat e kërkimit shkencor.
Por duket se shqetësimi më i madh i rektorëve lidhet me nxjerrjen e kërkimit shkencor jashtë dyerve të universiteteve, pasi nisma parashikon që ky aktivitet të ushtrohet dhe në institute dhe njësi të veçanta, parqe teknologjike dhe shkencore, qendrat e transferimit të teknologjive bujqësore; apo institucione të tjera të krijuara me ligj.
Edhe kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, shfaqi disa rezerva për projektligjin edhe pse ASH i ka dhënë pëlqimin në parim draftit të qeverisë.
Ai tha që ka nene që krijojnë ambiguitet dhe duhet të riformulohen në frymën e ligjit për arsimin e lartë, ndërsa shqetësimet kryesore ndaj ligjit i lidhi me problematikat e financimit për kërkimin shkencor.
“Ne diskriminohemi për projekte, duhet që Këshilli i Ministrave të caktojë një masë më dinjitoze se sa përcakton paga bazë”- tha ai, duke kërkuar që të përcaktohen “shpërblime për punë të veçant” dhe masa të veçanta për pagesat për punën jashtë orarit.
Gjinushi nuk shfaqi kundërshtim për nenin që parashikon ngritjen e Këshillit për Shkencën, por kërkoi që atij tin jepet një rol më i fortë në vendimmarrje. “Ne jemi për idenë që të riformulohet në një mënyrë më të saktë, ose duke i dhënë peshë më të drejtpërdrejtë,” tha ai.
Por, për përfaqësuesen e ministrisë së Arsimit shqetësimet e rektorëve për cënimin e lirisë së kërkimit shkencor në universitete nuk qëndrojnë.
“Bindja jonë është se projektligji nuk e prek aspak as autonominë akademike dhe absolutisht nuk prek as lirinë e kërkimit shkencor,” tha Ana Kapaj, zëvendësministre e Arsimit, duke shtuar se ligji do të shtojë bashkëpunimin mes universiteteve dhe institucioneve arsimore.
Nismë është kundërshtuar dhe nga opozita si një përpjekje e qeverisë për të kontrolluar kërkimin shkencor.
“Me këtë projektligj nuk ka financim po nuk i pëlqeu qeverisë, nuk ka kërkim shkencor që kundërshton politika të caktuara ekonomike, sociale, bujqësore, teknologjike etj..”- i tha BIRN-it, Ina Zhupa, kryetare e komisionit për Edukimin, e cila bojkotoi mbledhjen në bazë të një qëndrimi politik të Partisë Demokratike.
Sipas Zhupës, dispozitat ligjore të reja parashikojnë “centralizimin dhe politizimin e kërkimit shkencor”.
Pas disa orë dëgjesash me rektorët mazhoranca u duk se bëri një hap dhe ofroi më shumë kohë për diskutimin e projektligjit në komision para se ai të miratohet.
Nënkryetarja e Komisionit, Evis Kushi, e cila po drejtonte mbledhjen, i cilësoi shqetësimet e rektorëve si “shumë serioze” dhe premtoi se projektligji nuk do të miratohet me nxitim në Kuvend.
“Ta studiojmë dhe një herë, ta analizojmë pikë për pikë dhe të reflektojmë,” u tha ajo rektorëve. BIRN