Celibashi skanon “11 majin”: Komisionet me përbërje partiake rezultuan dështim, duhet rishikim i thellë i procesit zgjedhor

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një konferencë për mediat, ka ngritur shqetësime serioze për standardet e zgjedhjeve në Shqipëri.

Ai theksoi se reforma zgjedhore është thelbësore për integrimin në BE dhe duhet të trajtohet si përparësi nga Kuvendi dhe qeveria.

Celibashi kritikoi përbërjen politike të komisioneve zgjedhore dhe kërkoi administrim profesional të procesit.

“Unë vlerësoj se do të duhet të adresohen shumë çështje që kanë të bëjnë me organizimin e zgjedhjeve, duke filluar nga ato që kanë të bëjnë me aspektin administrative dhe të tjera. Do të duhet në kuadër të një reforme reale të plotë e të vërtetë, partitë politike të rikonsiderojnë së pari, organizimin e komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta. Përbërja partiake e këtyre komisioneve ka treguar se është dështim s ai përket administrimit profesiaonal dhe integritetit të procesit”, pohoi ai.

Ai kërkoi gjithashtu më shumë transparencë në financimin e partive dhe kontroll më të fortë nga KQZ.

“Nuk mund të kemi zgjedhje të ndershme pa transparencë në financim. Financimi i palëve të treta dhe fushatat në internet janë ende të parregulluara, kjo përbën rrezik real për procesin”, theksoi kryekomisioneri.

Ndër shqetësimet e tjera të ngritura nga Celibashi ishte keqpërdorimi i institucioneve publike në fushata, nevoja për zgjerim të votimit elektronik, përmirësimi i procesit të numërimit të votave dhe krijimi i një gjykate të posaçme për ankimimet zgjedhore.

“Nuk mund të vazhdojmë me një situatë ku administrata shtetërore keqpërdoret për qëllime elektorale. Duhet një ndarje e qartë mes detyrimit ligjor dhe angazhimit politik”, u shpreh Celibashi.