Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka dërguar një letër Këshillit Bashkiak , ku kërkon që të konsultohen më të në lidhje me projektbuxhetin për vitin 2026.
Në letrën drejtuar anëtarëve të Këshillit Bashkiak, Veliaj shkruan se çdo buxhet që miratohet pa konsultim real dhe substancial me Kryetarin e zgjedhur nuk mund të konsiderohet shprehje e vullnetit politik të qytetarëve, por vetëm një akt formal administrativ, i zhveshur nga legjitimiteti demokratik.
Veliaj ka kritika edhe në lidhje me zbatimin e buxhetit të Bashkisë për vitin 2015, duke thënë se ndodhet në gjendje alarmante.
“Zbatimi i buxhetit të vitit 2025 ndodhet në një gjendje alarmante, me një nivel realizimi shumë të ulët, në kontrast të thellë me normat e realizimit historik që Bashkia e Tiranës ka pasur gjatë ushtrimit normal të mandatit tim”- thotë Veliaj.
Letra e plotë:
Të nderuar anëtarë të Këshillit Bashkiak,
Ju drejtohem në cilësinë time kushtetuese dhe ligjore si Kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës, për t’ju kërkuar që, përpara shqyrtimit dhe miratimit, të konsultoni dhe të merrni paraprakisht mendimin dhe vullnetin tim institucional mbi projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2026.
Më datë 18 dhjetor, këshilli bashkiak pritet të shqyrtojë dhe miratojë projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2026. Ky moment përbën aktin më të rëndësishëm financiar dhe politik të vitit për një bashki, pasi buxheti është instrumenti kryesor për realizimin e mandatit politik të Kryetarit të Bashkisë, mandat i dhënë drejtpërdrejt nga qytetarët e Tiranës.
Dëshiroj të rikujtoj se, sipas ligjit nr. 139/12015 “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, ligjit nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, të ndryshuar, kuadrit ligjor për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, si edhe praktikës së konsoliduar të vetëqeverisjes vendore, propozimi i buxhetit është atribut ekskluziv i Kryetarit të Bashkisë. Çdo buxhet që miratohet pa konsultim real dhe substancial me Kryetarin e zgjedhur nuk mund të konsiderohet shprehje e vullnetit politik të qytetarëve, por vetëm një akt formal administrativ, i zhveshur nga legjitimiteti demokratik.
Situata aktuale është veçanërisht shqetësuese. Zbatimi i buxhetit të vitit 2025 ndodhet në një gjendje alarmante, me një nivel realizimi shumë të ulët, në kontrast të thellë me normat e realizimit historik që Bashkia e Tiranës ka pasur gjatë ushtrimit normal të mandatit tim. Ky është një tregues i qartë i paralizës institucionale që po i shkaktohet Bashkisë së Tiranës.
Në këto kushte, miratimi i buxhetit për vitin 2026 pa konsultim me Kryetarin e zgjedhur do të përbënte jo vetëm një devijim nga standardet e qeverisjes vendore, por edhe një vijim i gjendjes së rëndë që pengon realizimin e mandatit tim demokratik, duke cenuar drejtpërdrejt prioritetet qeverisëse të miratuara nga qytetarët e Tiranës.
Për këto arsye, kërkoj zyrtarisht që, përpara shqyrtimit dhe miratimit të projektbuxhetit të vitit 2026:
1. Këshilli Bashkiak të realizojë konsultim institucional me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, në mënyrë që buxheti të reflektojë prioritetet politike dhe programore për të cilat qytetarët më kanë votuar;
2. Të merret në konsideratë se çdo dëgjesë publike e zhvilluar pa pjesëmarrjen ose konfirmimin e Kryetarit të zgjedhur nuk mund të zëvendësojë këtë konsultim, pasi nuk mbart legjitimitet demokratik;
3. Të vlerësohet se miratimi i projektbuxhetit pa u propozuar dhe konfirmuar nga ana ime, në thelb, do të institucionalizonte përjashtimin e Kryetarit të zgjedhur nga ushtrimi i funksioneve të tij kushtetuese.
Kjo kërkesë lidhet drejtpërdrejt me respektimin e vullnetit të qytetarëve dhe me parandalimin e një precedenti, ku organi monokratik i zgjedhur zëvendësohet de facto, në aktin më politik të vitit, nga struktura të emëruara apo të deleguara përkohësisht. Një buxhet i miratuar në këto kushte, pavarësisht faktit se ekziston tashmë një vendim i Gjykatës Kushtetuese për vijimin tim në detyrë, do pasqyronte objektivisht faktin se Kryetari i zgjedhur i Bashkisë po pengohet në ushtrimin e mandatit të tij, me pasoja serioze jo vetëm për qeverisjen vendore, por edhe për rendin demokratik lokal dhe autonominë e vetëqeverisjes.