Nëse qytetarëve të Ballshit do iu drejtohej pyetja “çfarë ka bërë Edi Rama për këtë qytet”, 99% e tyre do të përgjigjeshin: Shkatërroi rafinerinë dhe na la pa bukë.
Kryeministri Edi Rama, në delir pas gjetjes së naftës në Shpirag, deklaroi ndër të tjera sot se deri më tani burimet e naftës kanë qenë modeste dhe të keqpërdorura.
“Për fat të keq, për shkak të keqadministrimit dhe keqqeverisjes, fjala naftë në mendjen e qytetarëve shqiptarë është bërë sinonim i fjalës vjedhje. E vërteta është se ne nuk kemi patur deri tani ndonjë pasuri të jashtëzakonshme në dispozicion. Burimet e shfrytëzuara në vite kanë qenë modeste, të keqpërdorura. Fatkeqësisht koncesionet e bëra në të shkuarën kanë qenë skandaloze, kanë qenë dorëzim total i sovranitetit dhe të drejtës së popullit për të marrë pjesën e vetë në këtë pasuri te koncesionar lloj lloj.
Ne jemi gjendur përballë situatash kontraktoriale të pamundura për t’u axhustuar. Për këto kërkime në këtë territor të fushës së burimeve natyrore, ne kemi bërë komplet ndryshim të qasjes së shtetit në këto kontrata dhe kemi vendosur marrëdhënie kontraktuale me kompanitë si SHELL të një niveli ndërkombëtar. Shqiptarët të jenë të bindur se kjo pasuri e madhe është edhe e tyre, do të jetë mbështetje për çdonjërin. Nuk do të marrin një kovë me naftë apo lekë në dorë, por përfitimi nga kjo pasuri do të impaktojë pensionet dhe bilancin e pagesave të Shqipërisë. Do të impaktojë sistemin e arsimit, shëndetësisë dhe mirëqënien e fëmijëve tanë”, tha Rama në fjalën e tij.
Por a është e vërtetë se burimet e naftës në Shqipëri kanë qenë modeste? Sigurisht që jo!
Media Ditari kontaktoi me disa ish-naftëtarë që kanë punuar për më shumë se 35 vite në Rafinerinë e Ballshit, të cilët u shprehën se në kohën që rafineria punonte me kapacitet të plotë, nxirreshin më shumë se 700 tonë naftë e përpunuar në 24 orë. Për të mos përmendur më pas nënproduktet se naftës, të cilat ishin edhe ato në sasi të konsiderueshme.
Sipas statistikave zyrtare, sasia më e lartë e naftës prej 2 milionë e 500 mijë tonë naftë, është prodhuar në 1974-ën. Deri në vitet 90, është ruajtur një mesatare prej më shumë se 1 milion tonë në vit. Më pas prodhimi u përgjysmua (në 500 mijë tonë në vit) dhe mbajti këtë kuotë në dy dekada. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, prodhimi u dyfishua sërish.
Por pse Rama detyrohet ta thotë këtë? Keqpërdorimi dhe keqmenaxhimi që i është bërë naftës në Shqipëri është i dukshëm, por vetë kryeministri është ai që shkatërroi rafinerinë e Ballshit, që nëse sot do të ishte në punë, do të sihet një vlerë e shtuar pë rShqipërinë, pasi përpunimi i naftës në vend dhe jo eksportimi i saj do të sillte uljen e çmimit të karburantit.
Sigurisht që kjo nuk do të ishte në interes të Ramës, që i intereson më shumë ta eksportojë dhe të gjitha fitimet të shkojnë në buxhetin e shtetit e jo në xhepin e qytetarëve, pasi kështu e ka më të lehtë të kontrollojë gjithçka.
Ndaj, ky mashtrim i radhës i kryeministrit që la në mes të rrugës mijëra familje që mbanin frymën gjallë falë asaj rafinerie nuk zë vend, por është vetëm justifikimi i radhës i një njeriu që deri më sot ka ditur të shkatërrojë vepra të mëdha (rafineria, teatri etj) dhe të ndërtojë kulla.