Bukuroshja që nuk fle

Nga Ermal Hasimja

Vullnet Sefaja i “Marigonës” ishte ende me buzëqeshjen e koncertit që sapo përfundoi kur u fut te “Puka” për afterparty. Pas shumë vitesh shkëputjeje rithimin e bëri në Gjakovë ku ka një pjesë të shpirtit. Gjakova e priti si di vetë. Në Çarshi t’Vjetër nuk kalonte dot as mushkonja. Kur vendet në këmbë mbaruan disa të rinj u ngjitën mbi çatitë me tjegulla.

Ka nga Tirana, Shkodra, Shkupi, Tetova dhe natyrisht Prishtina. Në mes të koncertit kur Vullneti veshi bluzën e kuqe të “Vllaznimit” publiku mori frenat në dorë dhe i këndoi mysafirëve himnin e vet “Yjet e Gjakovës”. Se gjakovari kur të fton me këndu këndon edhe vetë. Sa për me tregu kush e si është i zoti i shtëpisë.
“Marigona” këndoi 2 orë. Publiku gjithashtu. Në afterparty te “Puka” 40 vetë zunë vend e po prisnin që të organizohej improvizimi. Endriti dërgoi dikë për kitaren, sepse në Gjakovë kitarja më e afërt nuk është kurrë më shumë se 100 metra larg. Donjeta e gjeti shpejt ritmin dhe admirimin e mjedisit. Një djalë i ri që fillimisht po shërbente pijet nxorri me ndrojtje një klarinetë pas banakut, kërkoi leje dhe e futi veten menjëherë në aksion. Pas 10 minutash u gjet edhe një dajre. Sepse ky është qyteti i muzikës. I muzikës shqiptare më saktë. Nuk di qytet tjetër ku 20-30-40 vjeçarë të kalojnë me tekst të plotë dhe gjuhën skenike përkatëse nga Ismet Peja te Vaçe Zela apo serenatat korçare. Një javë më parë, Ermonela Jaho, e ftuar për një bisedë me artistët e rinj mbeti me gojë hapur kur mësoi se Shkolla e Muzikës së këtij qyteti sa Gjirokastra ka gati dyfish më shumë nxënës se Liceu i Tiranës. Ky është qyteti i Qamilit të Vogël, Ismet Pejës, Esat Bicurrit, Sabah Bytyçit, Shkëlzen Jetishit, Shkëlzen Dolit, Petrit Çarkaxhisë e shumë të tjerëve. Këtu edhe gurët këndojnë.
Një ditë më parë afterparty u ndërpre shkurtimisht në 2.30 të mëngjesit për t’u vijuar te Fatosi me mish, byrekë, birra e raki. Deri në 4 të mëngjesit.


Sonte disa kërcejnë, disa mbajnë ritmin, të gjithë këndojnë. Nga këngët gjakovare te ato shkodrane, elbasanase, tiranase, korçare deri te arbëreshët. Edita Doli këndon, kërcen e nuk lejon askënd të mos kënaqet. Blendi shfaqet papritur me 2 tepsi me mish e qoftet e famshme të Gjakovës, me shumë gjasa nga Fatosi ose “Jupat”. Na mungon Rrusta, Alias Petrit Çarkaxhia i Jerichos. Petriti nuk pranon kurrë të këndojë … derisa sa i venë në duar një kitare. Kaq e thjeshtë.
Dikur një zë tenori ngrihet mbi të tjerët, pastaj dy të tjerë. Tre djem të rinj pejanë rindezin motorrët. Pejanët pranojnë mes dy këngësh se askund nuk ka atmosferë si në Gjakovë (sinqeritet i guximshëm për pejanët krenarë) e për t’i vënë vulën përfundimisht integrimit deklarojnë tē dorëzuar se janë nipa Gjakove. Kjo shpjegon gjithçka për publikun këngëtar të afterparty-t.
Disa tirons mbajnë ritmin të mrekulluar. Çfarë muzash jetojnë këtu?! Një tjetër tirons, me pak përvojë vendore qesh me mrekullimin e tyre.
Nata duket e gjatë. Nisi 9 orë më herët kur Murteza Kurti, Ilir Bytyçi e Jeta Xharra paraqitën filmime të rralla të faljes së gjaqeve në fillim ’90. Gjatë pamjeve të një babai që fal gjakun e të birit të vrarë për t’i kontribuar bashkimit të shqiptarëve përpara luftës që pritej një lëmsh i nxehtë ngjitet nga gjoksi e kthehet në lot kur mbërrin në sy. Pas meje, një nënë gjakovare u “përkthen” fëmijëve të saj 10-12 vjeçarë pamjet e burrave që falin të pafalshmen, njerëzve që ecin drejt policëve me skafandra e armë, pamjet e nxënësve të helmuar. Duhet kujtuar!


Më pas Nezafete Shala me grupin solli gjithë perlat qytetare shqiptare. Pa zbukurime, siç i ka bërë shqiptari i dashuruar me vajzën n’penxhere a atdheun. E gjithë kjo përpara se “Marigona” ta kallte Çarshinë më të madhe në Ballkan.
Gjakova pret 22 koncerte e dhjetëra aktivitete për festivalin “Ditët e shqiptarit”. Gjithçka 100% shqip. Sepse ky është qyteti që dashuron të qenit shqiptar.


Por tani është ora 4 e mëngjesit. Po shkoj të shtrihem. Pas 3 orësh nisem për Tiranë. Fundjavën tjetër jam prapë “en Gjakovë”. Kush erdhi këtu e nuk ndjeu t’i mbijnë rrënjët?!