Britania drejt “listës së zezë” për pasagjerët problematikë në fluturime

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po shqyrton propozime për krijimin e një “liste të zezë” kombëtare për linjat ajrore, e cila do të mund të ndalonte pasagjerët abuzivë, të dhunshëm ose vazhdimisht problematikë të udhëtonin me çdo kompani ajrore. Kjo nismë vjen në një kohë kur kompanitë ajrore raportojnë rritje të sjelljeve të papërshtatshme gjatë periudhave të pikut të pushimeve dhe po kërkojnë masa më të forta.

Me nisjen e sezonit veror të udhëtimeve, qeveria britanike po shqyrton një qasje më të ashpër ndaj pasagjerëve problematikë në avionë – një masë që mund t’i ndalojë këta udhëtarë të fluturojnë me çdo kompani ajrore, jo vetëm me një linjë të vetme.

Sipas propozimeve që po diskutohen me industrinë e aviacionit, pasagjerët e përfshirë në incidente serioze si sjellje e dehur, fyerje ndaj ekuipazhit ose dhunë gjatë fluturimit, mund të futen në një listë kombëtare ndalimi, duke i penguar të rezervojnë bileta me çdo kompani ajrore.

Kjo nismë vjen pas një rritjeje të raportuar të sjelljeve problematike gjatë periudhave të ngarkuara të udhëtimeve, ndërsa kompanitë ajrore argumentojnë se ndalimet e kufizuara vetëm brenda një kompanie nuk janë të mjaftueshme për të ndaluar përsëritjen e shkeljeve.

Çështja lidhet gjithashtu me debatin mbi lejimin e konsumit të alkoolit në orët e para të mëngjesit në disa aeroporte evropiane. Duke qenë se aeroportet nuk funksionojnë sipas rregullave të zakonshme kohore, nuk ka kufizime të qarta për oraret e shërbimit të alkoolit.

Muajin e kaluar, drejtori i Ryanair, Michael O’Leary, kërkoi ndalimin e kësaj praktike, duke deklaruar se pothuajse një fluturim në ditë i kësaj kompanie detyrohet të devijojë për shkak të sjelljeve problematike të pasagjerëve.

Nëse ndryshimet për listën e zezë miratohen, pasagjerët e ndaluar nga një kompani ajrore nuk do të mund të rezervojnë më bileta me asnjë tjetër – duke përbërë një ndalim të plotë për fluturim.

“Çdokush duhet të ketë mundësi të pijë një birrë në aeroport, por sjellja antisociale në avion është plotësisht e papranueshme,” tha një burim qeveritar për BBC-në. “Ajo rrezikon sigurinë e pasagjerëve dhe ekuipazhit, dhe prish pushimet e shumë njerëzve.”

Zyrtarët e Departamentit për Transport në Britani pritet të takohen me kompanitë ajrore më vonë këtë muaj për të diskutuar propozimin.

Mendohet se qeveria dhe industria e aviacionit do të menaxhonin së bashku një bazë të dhënash kombëtare për pasagjerët e ndaluar.

Megjithatë, propozimi nuk është i thjeshtë, pasi ligjet ekzistuese për mbrojtjen e të dhënave (GDPR) kufizojnë ndarjen e informacionit të pasagjerëve, gjë që aktualisht lejon që një person i ndaluar nga një kompani të mund të rezervojë me një tjetër.

Pavarësisht kësaj, Airlines UK, një organizatë që përfaqëson industrinë ajrore, e ka mirëpritur idenë, duke thënë se do të bashkëpunojë me qeverinë për zhvillimin e saj.

“Masat shtesë për rastet më serioze të prishjes së rendit, përfshirë krijimin e një liste kombëtare ndalimi, janë një hap i rëndësishëm përpara, duke siguruar që një pakicë shumë e vogël pasagjerësh të mos prishë udhëtimet ajrore për shumicën,” tha një përfaqësues i saj për BBC-në.