Moti i keq që ka përfshirë vendin ditën e sotme ka shkaktuar probleme në qarkun e Korçës. Mësohet se pas dy orësh shiu intensive qyteti i Korçës është përmbytur duke shkaktuar probleme në qarkullim, Po ashtu, edhe Pogradeci ka patur reshje shiu dhe breshëri.
Stuhia e fortë ka bërë që disa nga rrugët e qytetit të zbardhen nga breshëri duke bllokuar pusetat dhe duke shkaktuar përmbytje të rrugëve.
Moti i keq ka shkaktuar probleme edhe në zonën e fshatrave në juglindje të vendit duke lënë rreth 40 prej tyre pa energji elektrike.
Në njësinë administrative Gore të Bashkisë së Maliqit kanë mungesë të energjisë elektrike 17 fshatra.
Pa energji elektrike janë dhe 12 fshatra të njësisë administrative Propotisht. E njëjta situatë paraqitet prej disa orësh në 5 fshatra në njësinë administrative Pojan të Bashkisë së Maliqit si dhe fshatra të tjerë të bashkisë së Korçës të cilët marrin furnizim nga i njëjti fidër.
Pa energji elektrike edhe fshatra të bashkive Devoll e Kolonjë, kryesisht të Devollit të Sipërm por dhe ato të fushës. Kushtet e vështira atmosferike e bëjnë të vështirë ndërhyrjen e specialistëve të OSSHE.



