Biznesmeni Ermal Beqiri paraqitet në SPAK, kompania e tij përfituese e shumë tenderave të AKSHI-t

Biznesmeni Ermal Beqiri është paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme. Mësohet se ai ka ndenjur rreth një orë në ambientet e SPAK, por nuk dihen ende arsyet e thirrjes së tij nga prokurorët e posaçëm.

Ndërkohë më herët, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar kontrolle në ambientet e kompanisë “Soft & Solution” në pronësi të tij.

Beqiri është një biznesmen i njohur, dhe njëkohësisht përfitues i një numri të madh tenderash publikë, përfshirë ato të shpallura nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Ende nuk dihet nëse thirrja e tij në SPAK, ka lidhje me tenderat e fituar nga kompania apo nëse janë pjesë e një hetimi më të gjerë të nisur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kujtojmë se emri i Beqirit u bë i njohur kur ai, si inxhinier elektronik dhe Drejtor i Teknologjisë në Universitetin e Tiranës, u angazhua si ekspert në një proces korrupsioni në Gjykatën e Lartë ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta.

Ai dhe kolegët e tij ishin përgjegjës për analizimin dhe ekspertizimin e videos “Meta-Prifti”, në të cilën bisedohej për ndarje parash. Ekspertiza e Beqirit konkludoi se video ishte përpunuar, duke çuar në shpalljen e pafajshme të Ilir Metës nga gjykata.