Dubai ka qenë prej shumë vitesh streha luksoze ku janë fshehur shumë prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, për shkak të mungesës së marrëveshjes së ekstradimit të Shqipërisë me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Por duket se qetësia dhe rehatia do t’u prishet shumë shpejt, për shkak se ministri i Brendshëm, Taulant Balla, njoftoi se brenda muajit dy vendet do të nënshkruajnë marrëveshjen e ekstradimit për të arrestuarit.
Por kush janë të shumëkërkuarit që kanë përfituar prej vitesh nga mungesa e kësaj marrëveshje?
Endrit Dokle është një prej më të kërkuarve të drejtësisë që jeton dhe shijon mungesën e dispozitës ligjore të ekstradimit me Shqipërinë që nuk është e parashikuar në legjislacionin e Emirateve të Bashkuara Arabe, një hapësirë për fushëveprim kjo, që i jepet në këmbim të investimeve dhe bizneseve në këtë shtet.
Dokle mundi të dalë nga qelia, edhe pse ishte dënuar përjetë me vendim të formës së prerë, pas një sërë kërkesash drejtuar gjykatës së Krujës, e përfundimisht përfitoi liri me kusht firmosur nga gjykatësja Enkeleida Hoxha. Ai dyshohet se ka qenë drejtues i një fraksioni të Bandës së Durrësit, i dyshuar si autor i një sërë vrasjesh e atentatesh të mbetura në tentative, siç janë edhe ato ndaj Lulzim Berishës, vepra penale që janë kryer në vite të ndryshme. Së fundmi ai është marrë në pyetje për masakrën me tre të vrarë, në mes të korrikut të 2022, mes të cilëve mbeti i vrarë edhe Brilant Martinaj, nipi i Ervis Martinajt. Edhe për zhdukjen e këtij të fundit, Dokle është marrë në pyetje, por ende nuk ka prova që ta implikojnë atë në këto dy ngjarje.
Eldi Dizdari, i njohur edhe si Denis Matoshi, është një tjetër emër i njohur i trafikut transnacional të kokainës, nga Ekuadori drejt vendeve të BE, që i fshihet drejtësisë europiane e asaj shqiptare në Dubai. Një nga personat e arrestuar në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Los Blancos” i shtrirë në 10 shtete, një hetim ky i kryer nga Prokuroria e Firences. Nga ana tjetër, SPAK e kërkon Dizdarin për ngjarjen e masakrës së Ish- Bllokut, me 4 tetor 2018, ku një konflikt mes tij dhe Ervin Matës, për pazare droge, përfundoi me vrasjen e Fabian Gaxhës, truprojës së Ervis Martinajt, e ndërsa ky i fundit mbeti i plagosur bashkë me Elio Hatën.
Ai u arrestua në vitin 2020, por u lirua sërish në vitin 2022 dhe tashmë shijon lirinë në qytetin që “nuk fle kurrë”.
Plarent Dervishaj, kunati i Lulzim Berishës është një tjetër person strehë e të cilit është bërë po Dubai. Ai është akuzuar për atentatet mafioze të biznesmenëve Vajdin Lame dhe Klodian Saliu në 2005, vrasje këto të kryera në një hark kohor me vetëm 24 orë diferencë. I shpallur në kërkim ndërkombëtar, ai u arrestua në Dubai nga deklarimet e të penduarit të drejtësisë, Luftar Reçi, në kuadër të operacionit “Asgjë nuk harrohet”, por ndryshe nga emri i operacionit, prangosja e tij u harrua shpejt, duke përfunduar me lirimin e tij. Plarent Dervishaj po ashtu akuzohet si porositës i atentatit të ish-prokurorit të shkarkuar nga vetting-u, Arjan Ndoja, i cili “ngeli” për shkak të lidhjeve të dyshimta me krimin, pra në kriterin e pastërtisë së figurës. Nga atentati i fillim-nëntorit të 2019 te mbikalimi i Shkozetit, mbeti i vdekur në vend, shoferi i automjetit, Andi Maloku, ndërsa ish-prokurori i Durrësit, shoqërohej nga i ashtuquajturi “Rrumi i Shijakut”. Edhe Dervishaj u arrestua nga autoritetet në Dubai, por më pas u la i lirë.
Një tjetër eksponent, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm, është edhe Florenc Çapja. Ky i fundit, së bashku me xhaxhain e tij Ardjan Çapja, pas rrëfimit të dëshmitarit të drejtësisë, Ervis Bardhi, u shpallën fajtorë si porositës të vrasjes së babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri, ngjarje kjo që tronditi vendin në 2012. Ndonëse për llogari të shtetit shqiptar, Çapja u arrestua, ai shumë shpejt gëzoi lirinë e tij, ndonëse i dënuar përjetë nga Gjykata e Posaçme. Por Florenc Çapja u arrestua pak kohë më parë sërish në Dubai, teksa pritet që pas marrëveshjes të ekstradohet drejt Shqipërisë.
Mikael Qosja është një tjetër i kërkuar për vrasje që dyshohet se fshihet në Dubai. Ai njihet ndryshe në Elbasan dhe si “Kel Kamani” apo si “Keli i Kicit”. Ai akuzohet se në vitin 2018 ka qenë i përfshirë në atentantin ndaj Enea Alibej ( i njohur si Tarzani), daja i tij Albert Dylgjeri dhe shtetasit turk, Erdal Duranay.
Kohët e fundit në Dubai janë arrestuar disa të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare. Denis Bajroviç, anëtar i bandës së Bajrave, ndodhet në qeli dhe pritet të ekstradohet drejt vendit tonë.
Ish-anëtari i bandës së Durrësit, Julian Meçaj, është një prej të arrestuarve në Dubai, i dënuar nga gjykatat shqiptare me burg.
Në pranga në Dubai ka rënë edhe Amar Shkëmbi, i dënuar për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj, i cili do të ekstradohet në vendin tonë për të vuajtur dënimin. I fundit që ka rënë në pranga është Merxhan Çeliku, bashkëpunëtori i Amant Josifit, me të cilin kanë grabitur miliona euro nëpërmjet mashtrimeve me Call centar-a.