Bllokimi i qeverisë amerikane ‘prek’ dhe Ambasadën në Shqipëri: Shërbimet për vizat dhe pasaportat do ofrohen sipas mundësisë!

Mbyllja e qeverisë amerikane ka prekur edhe Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë. Kjo e fundit në një postim në rrjete sociale njofton se për shkak të mungesës së një marrëveshjeje për miratimin e buxhetit federal, aktivitetet e saj në rrjetet sociale do të kufizohen ndjeshëm.

Në njoftim thuhet se llogaria në Facebook e Ambasadës nuk do të përditësohet rregullisht, me përjashtim të informacioneve urgjente për çështjet e sigurisë.

Gjatë kësaj kohe, shërbimet e planifikuara të pasaportave dhe vizave për tranzit në Shtetet e Bashkuara dhe në ambasadat e konsullatat jashtë vendit do të vazhdojnë sipas mundësive.

Për herë të parë në 7 vite, Qeveria federale e Shteteve të Bashkuara është mbyllur pasi ligjvënësit republikanë dhe demokratë nuk arritën të bien dakord për miratimin e buxhetit. 

Si pasojë, miliona punonjës federalë përballen me pezullime, vonesa pagash dhe pasiguri për të ardhmen.

NJOFTIMI:

Për shkak të vonesës në miratimin e fondeve buxhetore, kjo llogari në Facebook nuk do të përditësohet rregullisht – me përjashtim të informacioneve urgjente për çështjet e sigurisë – derisa të rinisë veprimtaria e rregullt. Gjatë kësaj kohe, shërbimet e planifikuara të pasaportave dhe vizave për tranzit në Shtetet e Bashkuara dhe në ambasadat e konsullatat jashtë vendit do të vazhdojnë sipas mundësive. Për më shumë informacion mbi shërbimet tona dhe statusin operativ, vizitoni: travel.state.gov.