Blegtorët e jugut u rikthehen protestave, kërkojnë rritje të subvencioneve: Po tallen me mundin tonë

Blegtorët e jugut kanë dalë sërish në protestë këtë të shtunë në vendin e quajtur “Ura e Kardhiqit” duke kërkuar më shumë mbështetje nga shteti. Ata shprehen të shqetësuar për uljen e ndjeshme të çmimit të grumbullimit të qumështit nga baxhot e bulmetit, që ka sjellë vështirësi të mëdha financiare dhe ka rrezikuar mbijetesën e këtij sektori jetik.

Ata i janë drejtuar me disa kërkesa Ministrisë së Bujqësisë, siç janë: vendosja e çmimit tavan të qumështit, dyfishimi i subvencioneve, transparencë në ndarjen e kullotave dhe ndërtimi i veprave ujore në shërbim të blegtorisë.

 “Shqetësimi ynë është, që në punojmë natë e ditë dhe kafshët i kemi lënë brenda. Na i ulin çmimet nga ora në orë nga dita në ditë. Kemi dy muaj që japim qumësht dhe lekë nuk kemi marrë. Lekët do i marrim, por çmimet po ulen dita ditës.

Nga vjet e deri në sivjet na është ulur me 30 lekë. Është gjynah të tallen me mundin tonë. Përfitojnë 5 veta, ndërsa 500 veta punojnë kot. Po të ulin djathin, kafen të gjitha le të ulin edhe qumështin. Pronarët na kërkojnë edhe taksat dhe të paguajmë kullotat. Të gjitha janë bërë private, biznes më vete dhe pak lek që na takojnë nga shteti për kafshët, gjysmat na i hedhin gjysmat nuk na i hedhin. Ne kot sa punojmë, më mirë të ikim nga ky vend kemi familje, nuk jemi vetëm.” – u shpreh protestuesi i revoltuar.