GJKKO ka pushuar çështjen ndaj Lul Berishës dhe Plaurent Dervishajt për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame, pasi prokuroria pretendon se nuk ka prova që implikojnë ata të dy në ngjarje.
Kjo është hera e dytë që Prokuroria e Posaçme vjen me kërkesë për pushimin e çështjes, por herën e parë, trupa e gjykimit ia ktheu kërkesën prokurores Elida Kaçkini, duke kërkuar nga kjo e fundit hetime shtesë.
Akuza ndaj Lulzim Berishës dhe Plaurent Dervishaj u ngrit pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Luftar Reçi. Ky i fundit i hapi probleme emrave të njohur të botës se krimit, që vepronin kryesisht në Tiranë, Durrës e Vlorë.
Disa vite më parë, në tre rrëfime, Reçi foli për të gjithë veprimtarinë kriminale të Berishës dhe anëtarëve të tjerë të bandës së tij.
Vajdin Lame, presidenti i Federatës së Boksit dhe miku i tij Artan Arsi u vranë në 27 shkurt të vitit 2005, në njërën nga kullat pas stadiumit “Qemal Stafa”.
Lame dhe Arsi u ekzekutuan me një sasi eksplovizi e cila ishte vendosur ne ashensorin e pallatit ku jetonte Vajdin Lame.
Ky i fundit vdiq në vend ndërsa Artan Arsi ndërroi jetë rrugës për spital.
Për ngjarjen e shkurtit të vitit 2005, janë marrë të pandehur Emiljano Shullazi, Indrit Rusi, Viktor Ymeri dhe Indrit Taullai.
Vrasja e Vajdin Lames: Një emër mjaft i njohuar në atë kohë (dhe sot nuk ngelet pas), Lamaj mbeti i vdekur në një atentat me eksploziv në pallatin ku ai banonte. Pikërisht në momentin kur Lamaj, ish-Presidenti i Federates se Boksit dhe ish-Zv/president dhe bashkëpronar i “TOP Albania Radios” hyri në ashensor bashkë me mikun e tij të ngushtë Artan Arsi, eksplozivi shpërtheu.
Sytë e personave që e donin të vdekur biznesmenin e fuqishëm në atë kohë, siç duket po e vëzhgonin dhe po numëronin sekondat për të shpërthyer lëndën plasëse që do t’i sillte vdekjen. Në këtë atentat vdiq dhe Arsi, miku i Lamajt.
Vajdin Lamaj pak muaj para vrasje i shpëtoi një tjetër atentati. Në 15 tetor të vitit 2004, Lamaj u shpëtoi plumbave ndërsa dilte nga një emision televiziv pasi ishte i ftuar në një nga televizionet e kryeqytetit. Në këtë ngjarje mbetën të plagosur lehtë dy persona.
Saga e vrasjeve mes dy bandave: Më datë 26 shkurt të vitit 2005 rreth orës 22:00, në autostradën Tiranë-Durrës në drejtim të Tiranës, në segmentin Durrës-Maminas, në afërsi të fshatit Koxhaj, Saliu u qëllua me armë zjarri, teksa ishte duke udhëtuar me makinën tij tip “Mercedes Benz”, ngjyrë gri me targë DR8907C. Nga këto goditje me armë zjarri Saliu mbeti i vdekur në vend ndërsa u plagos Osman Truma, i cili ndodhej në automjet nën shoqërinë e viktimës.
Nga tetori i vitit 1998 deri në vitin 2003, banda e Durrësit ishte e bashkuar dhe dy drejtuesit kryesorë të saj, Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu, i kishin të forcuara lidhjet mes tyre.
Krisja e parë mes Klodjan Saliut dhe Lulzim Berisha ka si nisje atentatin ndaj Marsel Sotirës. Punonjësi i Doganave, Marsel Sotira ishte një pengesë që duhet të kalohej medoemos nga Banda e Durrësit. Ai i kishte shpëtuar një atentati dhe më pas kishte marrë hak duke vrarë dy anëtarë të bandës. Që nga ajo ditë ai lëvizte me makina të blinduara dhe ruhej. Në këto kushte banda vë në zbatim një goditje perfekte duke përdorur si karrem një vajzë të re simpatike, e cila duhet të nxirrte viktimën në pritë. Vajza e njohur si “Miss Skrapari”, nën kërcënimin e Klodian Saliut, nxjerr në pritë Sotirën, i cili vritet me 271 plumba. Bukuroshja nga Skrapari, me inicialet V.J, u përdor nga Saliu, i cili fillimisht e bëri të dashur dhe më pas e detyroi t’i vardisej dhe të bënte për vete Marsel Sotirën. Vajza e detyruar nga presioni i Saliut, bëri siç i thanë… dhe Sotira u vra, por njëherazi ata zbuluan se Lul Berisha iu kishte zbuluar krahët. Kur u kthyen pasi kishin qëlluar Marselin, Indrit Taullai dhe Klodjan Saliu kishin kërkuar për Lulin, por ai kishte ikur. Adriatik Coli rrëfen: “Ata thanë: Si na e bëri Luli këtë gjë. Kështu që kur kthehem nga Italia, Klodi kthehet në Qershor të vitit 2000, më thërret te shtëpia. U futëm te kuzhina dhe më pyet për ngjarjen e Marsel Sotirit si ndodhi që iket dhe unë i shpjegova. Klodi bindet që ja kishin me të futur Lul Berisha dhe Plaurenti…”.
Kështu, në vitin 2003, banda u nda në dy celula të ndara nga njëra-tjetra të cilat filluan të funksionojnë të ndara, për hesap të Lul Berishës dhe Klodian Saliut. 15 kilogramë heroinë janë shkaku i prishjes mes tyre. Saliu dhe Lul Berisha porositën 15 kilogramë, për të cilën kishin bashkuar paratë për ta blerë tek dy turq. Nga porosia që erdhi, u pa se vetëm 3.5 kilogram heroinë ishte e pastër, ndërsa pjesa tjetër ishte zhavorr. Atë që erdhi e mori Klodi, ndërsa lekët e Lul Berishës shkuan kot, duke sjellë edhe prishjen mes tyre. Përplasjet në dukje të vogla kulmuan kur pas lirimit nga burgu të Klodian Saliut, ai kishte krijuar grupin e tij të ndarë nga Lul Berisha.
Indrit Taullai, Julian Meçe, dhe Plaurent Dervishaj, ishin pjesë e grupit të Lul Berishës ndërsa Adriatik Coli dhe Indrit Dokle, pjesë e grupit të Klodian Saliut. Vrasja e Klodian Saliut, solli hakmarrjen dhe serinë e atentateve që kishin si shënjestër ekzekutimin e Lulzim Berishës.