Janë betuar sot 135 deputetët e Kuvendit të ri, teksa Tom Doshi dhe Sabina Jorgo të PSD-së hoqën dorë nga mandati që fituan në 11 maj.
Po ashtu tre deputetët e PD-së, Jozefina Topalli, Albana Vokshi dhe Oerd Bylykbashi munguan sot në seancë dhe pritet të betohen në seancën e radhës.
Seanca u hap nga deputeti më i vjetër, Vasil Llajo, pas refuzimit të Sali Berishës dhe Tritan Shehut për ta drejtuar atë. Një lapsus nga Llajo ka shkaktuar të qeshura në sallë, pasi ju drejtua Tomor Alizotit si Tërmet Alizoti. “Betohem, por jo tërmet”, ia ktheu me batutë deputeti i PD-së.
Gjatë paradites së sotme, seanca u shoqërua me debate dhe tensione pasi kreu i PD, Sali Berisha, Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, dhe kreu i grupit parlamentar Gazmet Bardhi bllokuan Foltoren. Po ashtu Partia Demokratike shpalosi pankarta me foto të eksponentëve kryesorë të Partisë Socialiste dhe të mbishkruara me akuza.
Kujtojmë se në zgjedhjet e 11 Majit, Partia Socialiste ka siguruar 83 mandate, PD dhe aleatët 50, PSD 3, Partia Mundësia 2, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga një deputet.