“Beteja jonë do vazhdojë”/ Vendimi për shpalljen ‘non grata’, Berisha: Procesi vërtetoi se nuk ka asnjë fakt kundër meje

Ish kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas vendimit të djeshëm të SIAC që la në fuqi vendimin për shpalljen e tij “non grata” nga Britania e Madhe.

Berisha thotë se ai doli i fituar nga ky gjyq pasi procesi vërtetoi se s’ka asnjë provë apo dokument që mund ta lidhë atë me akuzat për lidhje me krimin, ndërsa thotë se vendimi është marrë duke u bazuar në shkrimet e disa mediave.

Berisha deklaroi se gjatë procesit janë bërë manipulime dhe manovrime të ulëta për të fshehur, sipas tij, të vërteta dhe dosje mijëra faqe para Komisionit të Apelimit të Ankesave.

Ai theksoi se avokatët e tij i kanë dorëzuar në kohë në përputhje me marrëveshjen të gjitha dokumentet e kërkuara nga Home Office, por këto dokumente nuk i janë paraqitur sekretares së Shtetit.

“Të dashur qytetarë jam sot para jush për të bërë disa sqarime dhe shpjegime, lidhur me vendimin e djeshëm të Komisionit të Posaçëm të Apelimit të Imigracionit (SIAC) të Britanisë së Madhe.

Së pari më lejoni t’u rikujtoj se qëndrimi im ndaj shpalljes non grata ka qenë dhe mbetet i bazuar në dy parime kryesore: Asnjë lobim për heqjen e këtij vendimi, padi në gjykata për shpifje dhe trillime ndaj meje. Këto parime i zbatova plotësisht në rastin e shpalljes “non grata” nga departamenti i shtetit por nuk i zbatoja dot në rastin e vendimit të Home Office sepse legjislacioni britanik nuk lejonte që unë t’u drejtohesha gjykatave pa iu drejtuar komisionit të posaçëm të apelimit të imigracionit të këtij vendi, ndaj dhe unë ndoqa rrugën e diktuar nga ligji.

Ankimet në këtë komision kërkonin që edhe Home Office të rishqyrtonte vendimin e tij. Në këtë kuadër u vendos një bashkëpunim në përputhje me marrëveshje të arritura nëpërmjet departamentit ligjor të kësaj ministrie dhe avoketërve të mi, në të cilin në mënyrë të vazhdueshme ne paraqitëm mijëra faqe, dokumente që rrëzonin të gjitha shpifjet trillimet, e mediave të Xhorxh Sorrosit, BIRN dhe Balkan Insight dhe të Carlo Bollinos, mbi të cilat ishte bazuar marrja e vendimit, shpifjet e Edi Ramës, Erion Veliajt dhe Lulzim Bashës dhe hidhej dritë në të vërtetat e kësaj dosje, por SIAC zbulon në vendimin e tij dy elementë shumë të rëndësishëm: Së pari deklaron se ai nuk është marrë me vërtetimin e provave dhe fakteve të paraqitura, por thjesht është marrë nëse Sekretarja e Shtetit ka patur prova të mjaftueshme, ka bërë analizë të drejtë provave për vendimin që ka marrë.

Së dyti SIAC na informon se ai nuk ka marrë parasysh parasysh mijëra e mijëra faqe të dorëzuara nga Sali Berisha sipas tij me vonesë, në Home Office, mbasi këto faqe nuk janë shqyrtuar siç kërkon ligji nga sekretarja e shtetit, sepse janë dorëzuar me vonesë. Kjo është absolutisht një e pavërtetë që s’i bën nder asnjë njeriu.

Avokatët e mi kanë dorëzuar në kohë, në përputhje me marrëveshjen që të gjitha dokumentet e kërkuara nga Home Office, por këto dokumenta nuk i janë paraqitur sekretares së shtetit me dy qëllime.

Së pari që ajo të mos mësonte të vërtetën.
Së dyti që këto dokumente të mos paraqiteshin në SIAC duke mos i shqyrtuar sekretarja e shtetit.

Ne mësuam së pari se  çfarë manipulimesh dhe manovrimesh të ulëta u bënë, për të fshehur të vërteta. Dosje mijëra faqë para komisionit të apelimit të ankesave.

Së dyti mësuam se nuk ekziston asnjë provë, fakt apo dokument që të faktojë korrupsionin apo lidhjet me krimin të Sali Berishës.

Akuzohem duke përdorur një goditje me shkelm të një dere nga Fation Dauti, n jë qytetar që s’e kam takuar kurrë në jetën time dhe që vetë e pranoi që mund tëmos jetë i lidhur me Berishën, në një kohë kur në zyrën e Edi Ramës ulet këmbëkryq përfaqësuesi i kartelit më të rrezikshëm në botë, meksikan, Luftar Hysaj, madje edhe merr licensë për kaziono, Pëllumb Gjoka merr statusin e investitorit strategjik.

Të dashur miq, beteja jonë, do të vazhdojë edhe njëherë jo për heqjen e përjashtimit por për shpifjen.

Beteja vazhdon. Faleminderit!