“Skandali vdes skandalin”, Berisha: Ahmetaj t’u tregojë shqiptarëve si ia imponoi Rama të firmoste për aferën

Ish kryeministri Sali Berisha ka bërë një dalje për mediat nga selia e PD ku ka reaguar ashpër, lidhur me emërimin e Taulant Ballës si ministër i Brendshëm në qeverinë Rama.

Berisha ka deklaruar se pas videos skandaloze të dhunës ku përfshiheshin familjarë dhe të afërm të deputetit Rrahman Rraja, Rama ka vepruar si “padrino” në përputhje me ligjet e mafias duke mos reaguar për dhunën por duke shkarkuar Çuçin dhe vendosur Ballën. Berisha e quajti Ballën nga ana tjetër përfaqësues të drogës, krimit dhe vrasjeve në Shqipëri.

Berisha akuzoi Ramën si përgjegjësin kryesor të aferës së inceneratorë. Ndër të tjera ish-kryeministri shtoi se Rama po i garanton organizatat kriminale se Shqipëria do jetë parajsa e trafiqeve dhe larjes së parave.

“ Edi Rama reagoi si kreu i lëvizjes së narkoshtetit. Nuk dënoi në asnjë moment aktin e Rrajave, por urdhëroi me Tëitter shkarkimin e ministrit Çuçi. Kreu i meduzës së aferës së inceneratorëve është Edi Rama. Ligji mëshirë për frikacakun nuk ka. Asnjë diskutim nuk ka se Ministri i Financave në të gjithë këtë aferë nuk mund të lajë duart. Kjo aferë ka marrjen e fondit rezervë të qeverisë, se Lefteri të rrijë atje sa të dojë, e gjetën si hajdut. Por ai fond pa firmën e Ministrit të Financave nuk lëviz. Sigurisht me firmën e kryeministrit, por i dytë është Ministri i Financave. Sigurisht këtu tek ne skandali e vdes skandalin. Uroj t’u thotë shqiptarëve që si ia imponoi Edi Rama, ku ishte kur Rama i shkoi me avion për t’i imponuar firmosjen. Por nga ana tjetër kurrë ligji mëshirë për frikacakun nuk ka. Ligji nuk e njeh mëshirën. Prapë të paktën t’u thotë shqiptarëve ku ishte kur Edi Rama i shkoi për ta detyruar për firmën”, tha Berisha.