Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka sfiduar kryeministrin Edi Rama, lidhur me TikTok, i cili do të mbyllet shumë shpejt në vendin tonë për një periudhë 1 vjeçare.
Teksa Rama tha sot në rubrikën “Sy m’sy” se ata që do të përdorin VPN-të falas për të aksesuar rrjetin social do të jenë nën rrezikun e hakerave, Berisha mendon të kundërtën.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha i cili ka qenë kundër mbylljes së TikTok duke e konsideruar një censurë, ka thënë se ka shkarkuar VPN dhe u kërkoi edhe të rinjve ta bënin një gjë të tillë për t’u futur në TikTok.
“Kjo e imja është në rregull. Sepse unë kam shkarkuar një VPN, dhe ai e përmbush funksionin. Por kjo do të hyjë në histori si një ditë e zezë e censurës, si një akt madhor censure, pa asnjë ligj, pa asnjë bazë. Thjesht të njëjtin vendim që mori Habitullahu i Kabulit, mori dhe Habitullahu i Tiranës.
Në traditën e tij atërore, njeriu që ka patur për baba një xhelat të fjalës së lirë, ka firmosur varjen në litar në të Havzi Nelës në 10 gusht 1988. Edi Rama përsëriti të njëjtën gjë, për të njëjtën arsye.
Kristaq Rama nuk duronte dot vargjet e lira të tij. Edi Rama nuk duron dot kritikat e të rinjve në Tik Tok. Kjo dëshmon qartë edhe njëherë se çfarë raporti ka ky me vlerat bazë të demokracisë, liritë dhe të drejtat e njeriut.
I ftoj të gjithë të rinjtë të shkarkojnë VPN-në dhe të vazhdojmë betejën tonë, në radhë të parë kundër censurës. Nuk duhet t’i nënshtrohemi censurës. Ky është një akt i shëmtuar, një akt që nuk mund ta bënte kurrë një njeri”, tha Berisha në konferencën për mediat.