Berisha: Protestat do të fuqizohen, nuk ndalemi deri në rrëzimin e Ramës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka paralajmëruar se protestat për dorëheqjen e Ramës do të fuqizohen.

Në një komunikim me qytetarët në Facebook, Berisha tha se strategjia e PD do të vijë duke u fuqizuar, por duke qëndruar te platforma e kryengritjes paqësore.

Kryedemokrati tha se nuk do të ndalen deri në rrëzimin e Edi Ramës.

“Strategjia jonë do të vijë duke u fuqizuar, por duke qëndruar te platforma e kryengritjes paqësore. Sot, siç e shihni, janë dhjetëra mijëra qytetarë që, për të katërtën herë radhazi, mbushin sheshin dhe bulevardin. Por unë kërkoj mirëkuptimin e çdo qytetari që ka mundësi të dalë, por e ndjek protestën nga TV.

Këta dhjetëra mijëra qytetarë që mbushin bulevardin, a kanë të drejtë të protestojnë? A është akt kriminal të përdorësh pushtetin dhe të vjedhësh qytetarët, e më pas të bësh ligjin? A është e pranueshme heshtja në këto raste? A nuk është kjo një thirrje ndërgjegjeje qytetare për secilin, pavarësisht bindjeve që ka, pa parti, i majtë apo i djathtë, që të dalë në shesh për të mos u pajtuar me këtë gjë?

Ne nuk do të ndalemi deri në rrëzimin e Ramës. Do të vijojmë me frontin e dytë. Nëse shtatorja e Hoxhës u rrëzua pas vitit ’90, ai kishte vdekur pesë vite më parë. Nuk duhet të pranojmë kurrë një kufomë politike në pushtet; duhet ta largojmë atë me çdo kusht.”, tha ai.