Berisha prezanton Foltoren 2: Do shpëtojë Shqipërinë nga regjimi i krimit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në protestën para Kryeministrisë, u shpreh se faza e re e protestës opozitare, e cilësuar prej tij si ‘foltorja e dytë’, nuk synon më të shpëtojë opozitën, por ‘të shpëtojë Shqipërinë nga regjimi i krimit’.

Në fjalën para mbështetësve, Berisha theksoi se mbyllja e Parlamentit nga mazhoranca tregon frikën e qeverisë përballë fjalës së opozitës dhe kritikave publike. Lëvizjen e PD, Berisha e cilësoi si platformë parlamentaro-qytetare që synon të mobilizojë qytetarët kundër regjimit aktual.

“Shumë kanë pyetur por çfarë është kjo foltore? Kjo platformë? Nuk është gjetje origjinale e PD, një platformë e tillë në një fushë tenisi transformoi Francën dhe Europën gjatë revolucionit. Foltorja me qytetarët e çliroi opozitën, foltorja me qytetarët e shpëtoi opozitën, e ktheu atë në forcë sovrani të shqiptarëve.

Foltorja u përball në rrugën e saj me pengesa më të papara, me represionin, me agresionin ndaj saj, por përsëri, sot ajo mblidhet në foltoren e dytë. Foltorja që nuk ka më synim të shpëtojë opozitën, por ka mision të shpëtojë Shqipërinë nga regjimi i krimit.

Ndaj dhe për të kuptuar pak misionin, hapni sytë dhe shihni si e kanë rrethuar”, tha ai.