Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi sot ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja se ka nxjerrë informacionin për arrestimin e Vangjush Dakos 4 ditë përpara se të dilte vendimi.
“Merr një rrogë që, prit se do të kthehem dhe ty. Vendin e ke te Gjushi, je ti që e njoftove, 4 ditë dekonspirove. Ulsi manja nxorri sekretin, është njeriu i pazareve me Edi Ramën. Kush ia tha Gjushit, i gjithë Durrësi flet për ty, ke nxjerrë sekretin, je një lloj jargo, mos më ndërpre. Ky është komisioneri i shitjes së të dhënave, pretendon se ka një ligj, thyehet 1 milion herë”, tha ai.
Manja i është përgjigjur Berishës, duke thënë se mezi e ka pritur këtë ditë për drejtësinë, duke shtuar: Jam i lumtur që arritëm këtë ditë që unë dhe ti të dalim para drejtësisë’.
“Nuk e di pse je shqetësuar Sali, zgjedhjet mbaruan dhe të pres në betejën tjetër të 2025, dhe do të të mund. Sa për drejtësinë jam i lumtur që mbërritëm këtë ditë që unë e ti të dalim para drejtësisë, kam përshtypjen që ti do shkosh para meje, por mezi e pres atë ditë.
Për këtë ditë kam pritur dhe shoh që sot më shumë i shqetësuar je ti sesa unë për këtë drejtësinë e re. Unë gjithë jetën kam luftuar për drejtësinë Sali.
Ti në profesion je mjek, tani raporti me drejtësinë do ta shohim të dy bashkë. Sa për betejat politike jam i hapur, por sa herë të dalim ne sheshbetejë do të të mund, ty dhe këdo tjetër”, tha Manja.