Berisha nuk ndalet me akuzat ndaj Ramës: Pashiqi i Tiranës punon ditë e natë kundër Kosovës

Ish-Kryeministri dhe kreu demokrat, Sali Berisha, ka deklaruar sot gjatë një takimi të zhvilluar në selinë blu, me rastin e Ditës së Pavarësisë, se Kryeministri Rama është dhunues i sovranitetit të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij, Berisha e cilësoi Edi Ramën si “Pashiqi i Tiranës”, teksa u shpreh se Kryeministri Rama kontrollon totalisht drejtësinë dhe të gjithë të emëruarit në institucionet e vendit.

Kreu demokrat e akuzoi Kryeministrin se punon ditë e natë kundër gjysmës tjetër të kombit, kundër Kosovës.

“Beteja që bëjnë deputetët, është betejë për sovranitetin e Shqipërisë, për të ushtruar kontroll në emër të sovranitetit mbi qeverinë. Nuk ka sovranitet të vërtetë, pa kontroll të qeverisë. Këtë e ka rrëmbyer totalisht Pashiqi i Tiranës. Ai kontrollon sot të gjithë ekzekutivin, të gjithë të emëruarit në institucionet e këtij vendi. Kontrollon totalisht drejtësinë. Kërkon t’i marrë opozitës atë pushtet, atë veto që i garanton Kushtetuta që të kontrolloj qeverinë. Ai është sot Kryeministri, ndër më të inkriminuarit në botë. Ai vjedh me firmën e tij çdo ditë, pasuritë publike të vendit, ndaj dhe ka zgjedhur të shkelmojë sovranitetin e shqiptarëve dhe të vendosë diktaturën e tij. Kjo ditë sot frymëzon më shumë se çdo ditë, u jep zemër shqiptarëve të ngrihen. Nuk mund të pranojmë një dhunues të sovranitetit, që për pushtet personal i ka rrëmbyer kombit, të gjitha pushtetet dhe punon ditë e natë kundër gjysmës tjetër të kombit, kundër Kosovës, që me të drejtë e kanë quajtur Pashiqi i Tiranës.” – u shpreh Berisha ndër të tjera.