Kryedemokrati Sali Berisha u paraqit ditën e sotme në SPAK, për masën e detyrimit të paraqitjes. Ai u ndal të flasë për gazetarët, ku komentoi edhe vendimin e mazhorancës për të mos lejuar Prokurorinë e Posaçme të arrestonte Belinda Ballukun.
Ai tha se vendimi i Ramës nuk ishte për të mbrojtur Ballukun, por veten dhe “Lindat” e tij.
“Të mendosh që Rama apo mbron Ballukun do të thotë të mashtrosh 100 herë veten. Rama mbron vetëm veten dhe vjedhjet e tij dhe Lindat e tij, sepse është i përfshirë në disa dosje”, tha ai.
Berisha renditi sipas tij dosjet në të cilat është implikuar kryeministri Rama, ndërsa shtoi se do të jetë sovrani ai që do t’i tregojë vendin e do ta çojë në bankën e të akuzuarve siç e meriton.
“I them Edi Ramës mos mendo se ke mbyllur dosjen tënde. Kurrë! Dosja jote nuk mbyllet kurrë, as me një Lubi, as me 5 Lubi. Bëj ç’të duash, të gjitha janë vetëm për Edi Ramën dhe absolutisht sovrani do të thotë fjalën e tij, do të jetë sovrani ai që do t’i tregojë vendin dhe do e çojë në bankën e të akuzuarve siç e meriton”, tha Berisha.
Kreu i PD-së hodhi akuza edhe mbi ILD-në dhe KLGJ-në, që nuk japin dosjen e Irena Gjokës për të mbrojtur gjyqtaren.
“Prokurori i Përgjithshëm u zvarrit dy vite duke lëpirë çizmet e Irena Gjokës me shumë mbiemra, Irena Gjoka, Manekut. Sepse nuk kishte të qartë se vula apostile nuk kërkon vërtetime, ajo është vulë e sanksionuar në marrëveshjet ndërkombëtare si vulë zyrtare. Pas prokurorit të përgjithshëm, kulmin e arrin KLGJ-ja e cila në akte mashtrimi, në akte kriminale ka mbrojtur dhe ka hedhur poshtë kërkesat për shqyrtimin e saj.
Njërën radhë, pasi avokatëve të mi iu rikthye përgjigje me shkrim pasi Irena me 5 mbiemra ka qenë e shkarkuar nga ish-Presidenti i Republikës Sali Berisha në vitin 1996, kur ky u kërkua nga deputetët e PD-së të themi 3 javë më vonë, iu përgjigj se ndaj kësaj zonje s’ka një dokument të tillë. A mund të imagjinoni një institucion shqiptar që gënjen kështu?
Pastaj vjen famozi ILD dhe ai nuk mund të bënte përjashtim. Kulmore është kjo që ata nuk japin dokument dhe thonë që jo nuk e japim. Nuk i japim dosjen palës ankuese”, tha Berisha.