Berisha i mori vulën e PD, Lulzim Basha nuk dorëzohet: Do të vazhdojmë betejën tonë

Lulzim Basha ka reaguar për herë të parë pasi Gjykata e Apelit i dha Sali Berishës vulën e Partisë Demokratike.

Teksa ka thirrur strukturat dhe përkrahësit e tij në seli për të diskutuar për hapët e radhës, Basha u shpreh se do të vazhdojnë betejën e tyre, edhe pse Apeli njohu si kryetar të PD, Sali Berishën.

Edhe pse Berisha i mori vulën e partisë, Basha me nota optimizmi tha se beteja nuk bëhet për logo apo për karrige, por për idealet e demokratëve ndërsa nuk preferoi të komentonte vendimin e gjykatës.

“Në fund të fundit këtë betejë as nuk e vazhdojmë për logo dhe as për karrige, jemi bërë bashkë për diçka më të madhe. Kjo është një betejë shpirtrash për idealet e demokratëve. Sot është më e qartë se kurrë që Shqipëria meriton më shumë. Do të bëjmë gjithçka qe kemi në dorë, të vazhdojmë betejën tonë për një Shqipëri më të mirë. Nuk e komentoj vendimin e gjykatës.

Vendimet për hapat do ti diskutojmë tani me kolegët. Të gjitha vendimet që do të marrim do të jenë në përputhje me atë angazhim që kemi marrë para demokratëve. Synimi është largimi i kësaj qeverie dhe hapja e perspektives”- u shpreh Basha në një komunikim të shkurtër.