Berisha “hap thesin” e premtimeve: Do shkrijmë edhe “e-albanian”, i rikthejmë zyrat si në 2013-ën

Rotacioni i pushtetit duket në kufijtë e të pamundurës në zgjedhjet e 11 Majit, pasi sondazhet tregojnë se PS do të jetë fituese dhe ka një rritje të ndjeshme të partive të vogla, që sjell edhe uljen e rezultatit të Partisë Demokratike.

Por, pavarësisht këtyre sondazheve, kreu i demokratëve, Sali Berisha, nuk nguron të “hapë thesin” e premtimeve, që duket se do të ngelen vetëm premtime elektorale.

Pasi deklaroi se do të shkrijë SPAK-un sapo të vijë në pushtet, sot Berisha ka paralajmëruar shkrirjen e “e-albanias”, duke thënë se do të kthejë zyrat siç kanë qenë në vitin 2013.

“Mungesa e të gjitha zyrave, shkatërrimi i qyteteve, heqja e administratave, por premtimet e mia ishin të qarta, kjo merr fund 100 ditët e para, në çdo rreth do kthehen të gjitha zyrtar siç kanë qenë në 2013, të gjitha shërbimet”, tha Berisha.

E çuditshme ta dëgjosh nga një parti e djathtë që të premtojë administratë të madhe dhe të vendosë shtetin në qendër të gjithçkaje, por për PD-në kjo ka pak rëndësi, mjafton që çdo ditë të dalë me një premtim të ri.

Deri në fund të fushatës ka më shumë se 2 javë kohë, ndaj presim të dëgjojmë nëse do të kemi ndonjë “shkrirje” të ndonjë institucioni tjetër që nuk u shkon për shtat interesave të PD-së.