Berisha flet pas protestës dhe i bën thirrje Ramës për qeveri teknike: Kemi 77 mënyra për të zbatuar mosbindjen civile

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka dalë në një deklaratë për mediat ku ka folur për protestën e djeshme të opozitës.

Teksa falenderoi protestuesit, ai i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të pranojë kërkesën për qeveri teknike ndërsa u shpreh se “kemi 77 mënyra për të zbatuar mosbindjen civile”.

Ai paralajmëroi se do të ketë greva, bllokime rrugësh dhe ngujime nëse nuk pranohet kërkesa për qeveri tenike.

Sipas tij mosbindja civile e opozitës nuk do të kufizohet në Tiranë, por do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë me qëllim “asfiksimin dhe paralizimin e narkoshtetit”.

Berisha theksoi se protesta e 7 Tetorit ishte vetëm aksioni i parë, duke shtuar se “kemi ngujime përpara, greva dhe bllokime permanente rrugësh”.

“Për Ramën kam një thirrje, me kaq ti ke humbur Parlamentin, reago sa je në kohë, nuk kërkojmë pushtet në tavolinë as të marrim pushtetin me forcë, por kërkim qeveri teknike.

Në zgjedhje të lira të shohim se kë votojnë shqiptarët. Pse ke frikë?

Kemi 77 mënyra për të zbatuar mosbindjen civile. Javët që vijnë mosbindja civile do të çmontojnë narkoshtetin tënd, kemi ngujime përpara, kemi greva, bllokime rrugësh, do të ndikojnë, paralizojnë dhe shkërmoqin narkodiktaturën.

Nëse mendon se do të kufizohet në Tiranë, mendohu Edi Rama, do ti kesh në mbarë Shqipërisë. Mbrëmë ishte aksioni i parë. Por mosbindja ka shumë forma. Kemi ngujime përpara. Kemi greva. Kemi bllokime permanente rrugësh.

Kemi 77 mënyra për mosbindje civile që do asfiksojnë dhe paralizojnë narkoshtetin. Që do ta shkërmoqin narkodiktaturën. Dhe nëse ti mendon se mosbindja civile nisi në Tiranë dhe do kufizohet aty, mendohu mirë Edi Rama. Se së shpejti në mosbindje do kesh Shkodrën.

Pastaj Durrësin. Vlorën. Kukësin. Tepelenën. Lezhën. E kështu me radhë, mbarë Shqipërinë. Se nuk ke lënë qytet pa masakruar me shpopullimin e tij. Nuk ke lënë qytetarë pa varfëruar me vjedhjet e tua. Nuk ke lënë familje shqiptare pa gjymtuar.

Dhe i gjithë vreri që ke derdhë mbi shqiptarët, do plasë mbi ty javët që vijnë. Të dashur qendrestare dhe qendrestarë. Rikujtoj dhe një herë, që jemi në misionin më të rëndësishëm të jetës sonë. Zoti do bekojë gjithë ata guximtarë që dje drodhën narkoshtetin. Mediat e gjithë botës dje i kanë bërë jehonë të jashtëzakonshme guximit, heroizmit të opozitarëve shqiptarë.

Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe sepse ne Europë, në SHBA dhe ne mbare vendet e lira ne kemi shume miq, mijëra e mijëra herë me shumë se sa mendojmë.

Sepse nuk ka gjë më frymëzuese, më fisnike, se një popull që reagon ndaj tiranisë së bandave, ndaj padrejtësisë. Që sulmon krimin. Që djeg korrupsionin. Që lufton për votën e lirë”, tha Berisha.