Berisha dhe Malltezi mbeten në ‘arrest shtëpie’, GJKKO rrëzon kërkesën e ish-kryeministrit dhe dhëndrit të tij

GJKKO ka rrëzuar kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi që kërkonin revokim të masës së sigurisë.

Si Berisha dhe Malltezi ndodhen në “arrest shtëpie” në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Pas vendimit të gjykatës, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj tha për mediat tha se SPAK nuk ka asnjë provë të re nga hetimet.

Gjykata shpalli vendimin për të dy duke rrëzuar kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë. Kërkimet tona nuk do të shterojnë, duke pasur synim ndryshimin e masës. Një nga elementët bazë të kërkesës sonë është se kjo gjykatë ka vendos mbi një dispozitë të shfuqizuar gjashtë vite më parë. Kodi i ri nuk parashikon komunikimin e zotit Berisha vetëm më personat që bashkëjeton, kjo është depozita e vjetër, e reja ka ndryshime që mund të takohet edhe me të tjerë. Një tjetër çështje është se SPAK, gjatë gjithë hetimeve nuk ka asnjë provë të re”, tha Gjokutaj.

Rikujtojmë se prej dhjetorit të vitit të kaluar, më kërkesë të SPAK, GJKKO ashpërsoi masën ndaj Berishës nga “detyrim paraqitje” në “arrest shtëpie”.

Sa i takon Jamarbër Malltezit, ai u arrestua në tetor të vitit të kaluar në aeroportin e Rinasit, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash. Më pas Apeli i GJKKO caktoi ndaj tij një masë më të butë sigurie, atë të “arrestit në shtëpi”.

Pak ditë më parë, Gjykata e Lartë la në fuqi sekuestron e pasurive të Argita dhe Jamarbër Malltezit.

Gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni nuk kanë pranuar rekursin e dhëndrit dhe vajzës se ish-kryeministrit Berisha duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Bëhet fjalë për 25 pasuri që janë venë në sekuestro me kërkesë të SPAK në kuadër të hetimeve për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, ku Malltezi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.