Berisha kundër operacionin policor në Manzë: Veprime banditeske, “Jo” ndëshkimeve kolektive

Ish kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me aksionin e sotëm të policisë brenda kampit Ashraf 3 të muxhahedinëve në Manzë.

Berisha tha se është kundër ndëshkimeve kolektive, ndërsa pa mohuar se brenda kampit mund të ketë persona që merren me sulme terroriste sulmoi sërish Edi Ramën, duke i konsideruar veprimet e policisë si banditeske.

Ish kryeministri u shpreh se sulmet kibernetike të Iranit janë të vërteta, por para tyre “falangat” e Ramës siç I quan ai kishin publikuar të dhëna nga SHISH (skandali me database e pagave dhe vendeve të punës)

FJALA E PLOTË E BERISHËS:

Ngjarja në Manzë përbën një krim të shëmtuar, përbën një dhunim flagrant të të gjitha ligjeve të vendit, traditës shqiptare dhe detyrimit që rrjedh nga kjo traditë si vend mikpritës. Dënoj me ashpërsinë më të madhe terrorin fizik, psikologjik të gjithanshëm të ushtruar ndaj muxhahedinëve. Dënoj me ashpërsinë më të madhe dhunën e egër fizike, e cila ka pasur pasojë gjer tani një të vdekur me plagë të shumta dhe mbi 40 të plagosur, një pjesë e të cilëve janë në spitalet e vendit. Dënoj me ashpërsinë më të madhe veprimet dhe i konsideroj ato banditeske, pasi të gjitha objektet e konfiskuara janë marrë pa lënë asnjë dokument, asnjë procesverbal nga policia e Edi Ramës.

PD është në parti e cila dënon terrorizmin ngado që vjen. Nuk përjashtojmë mundësinë që brenda muxhahedinëve të ketë edhe të infiltruar dhe terroristë. PD nuk pranon kurrë ndëshkime kolektive dhe këtë që ka ndodhur sot, një masakër e vërtetë në kampin e Manzës. Akuzat e formuluara nga prokuroria apo policia kërkonin hetim por nuk mund të bëheshin me një reprezalje masive ndaj refugjatëve iranianë me strehë në Shqipëri.

Sulmet kibernetike nga regjimi i Iranit janë një e vërtetë. Por para këtyre sulmeve nuk ishte Garda e Iranit që sulmoi sistemet dixhitale shqiptare, por i sulmoi Rama me falangat e tij të krimit që nxorri në treg të gjtiha të dhënat për punonjësit e SHISH dhe duke dëmtuar edhe interesat e shërbimeve sekrete të NATO-s në tërësi.