Berisha akuzon: Rama dhe Veliaj fshehën pronarët e vërtetë të inceneratorit të Tiranës, paratë vijojnë të shkojnë në llogaritë e Zotos dhe Mërtirit

Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur sërish akuza ndaj Edi Ramës dhe Erion Veliajt përsa i përket inceneratorit të Tiranës.

Ai tha se kryeministri dhe kryebashkiaku i Tiranës i kanë fshehur pronarët e vërtetë të inceneratorit, duke kryer vepër të rëndë penale, dhe sipas tij, e kanë bërë këtë vetëm sepse ajo ishte pronë e tyre.

Për Berishën, edhe sekuestrimi i këtij inceneratori nga SPAK është gjysmak, pasi paratë e qytetarëve po vijojnë të mbushin llogaritë e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit.

“Vonesat në hetim i kanë kushtuar qytetarëve mbi 40 milionë euro të grabitura nga hajdutët e shekullit. Për PD-në, vonesa e kësaj sekuestroje përbën në vetvete një vepër të rëndë penale.
Së pari, sepse vetëm pak muaj më parë kreu i SPAK deklaroi se nuk vendosim sekuestro se nuk dimë pronarët dhe ata do na hedhin në arbitrazh. Me këtë pohim ai pohoi se ekzekutivi po fsheh pronarët e kompanive për të vazhduar të qetë vjedhjen e miliona eurove.

Ata e bënë këtë fshehje, këtë vepër penale jo për të mbrojtur pasurimin e Zotos dhe Mërtirit, por për të mbrojtur pasurimin e tyre, sepse pronarët e vërtetë janë Rama dhe Veliaj dhe të tjerë.
Ata të cilët kanë fshehur pronarët në letra, kanë kryer një krim të shëmtuar dhe duhej të ishin me kohë në qeli, por kjo nuk ndodh sepse prokuroria është e tyre. Prokurori e di se shteti është i detyruar t’i dalë zot para ligjit kontratës që ka firmosur, dhe kur ajo nuk i del zot, fsheh një krim apo kryen një krim.

Erion Veliaj dhe Edi Rama dhe të gjithë ata që kanë firmat në koncesionin e Tiranës dhe i kanë fshehur pronarët de jure kanë kryer vepër të rëndë penale dhe e kanë bërë këtë vetëm sepse ajo ishte pronë e tyre”, tha Berisha ndër të tjera.