Kryeministri Edi Rama bëri të paktën dy reagime këtë javë në lidhje me kërkesën e gjyqtarëve për rritjen e pagave.
Kreu i qeverisë kundërshtoi hapur kërkesën e gjyqtarëve, që sipas tij kanë rrogat më të lartë në hierarkinë e pagave në shtet.
Reagimi i pari erdhi pas deklaratës së Shoqatës së Gjyqtarëve, pasi kjo e fundit dënoi sulmet që Rama ka bërë ndaj drejtësisë, pas vendimit të GJKKO për të pezulluar nga detyra z.kryeministren, Belinda Balluku.
Shoqata e gjyqtarëve shprehej se çdo deklaratë në lidhje me çështjet e gjyqësorit, është presion politik.
Ndërkohë po të njëjtën ditë, Rama bëri një reagim të dytë, ku përmendte se gjyqtarët duan 1600 euro rritje rroge, ndërsa nuk la pa ironizuar prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e GJKKO, që kërkojnë rritje prej 3100 euro.
“S’ka mundësi”, më shkruajnë disa, lidhur me kërkesën e gjyqtarëve për ta rritur pagën me 1600 Euro mbi aktualen!
Jo vetëm që ka mundësi, po 1600 Euro është rritja që kërkojnë magjistratët e këshilltarët e zakonshëm, se mes rritje kërkuesve janë edhe specialët, pra ata të GJKKO dhe SPAK-ut, të cilët kanë pagat më të larta në republikë, por kërkojnë edhe një rritje prej 3100 Eurosh!
Po, asnjë shaka, detin ku aktualisht marrin 6130 Euro në muaj, tani duan që t’ua kthejë në kos Gjykata Kushtetuese me 3100 Euro plus, e si përfundim të marrin 9230 Euro në muaj”- shkroi Rama mes të tjerash në reagimin e tij.
Por në mesin e gjithë debatit për rritjen e pagave për gjyqtarët që Rama e ka kundërshtuar hapur, me firmën e tij ka vendosur që Drejtorit të Shërbimeve Qeveritari t’i rrisë rrogën me 1.5 milionë lekë në muaj.
Vendimi është marrë të premten, 12 dhjetor, gjatë mbledhjes së qeverisë.
Ndërkohë drejtorët e disa drejtorive 40 mijë lekë, shefat e sektorëve 35–50 mijë lekë, ndërsa specialistët 30 mijë lekë. Shtesat ndryshojnë sipas profilit dhe përgjegjësive të detyrës. Vendimi me firmë të vet kryeministrit Rama ka hyrë në fuqi dhe është botuar në Fletoren Zyrtare.
Vendimi:
1. Miratimin e strukturës së pagës mujore për nëpunësit dhe punonjësit e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare.
2. Për pozicionet e nëpunësve nga “specialist” deri në “titullar institucioni”, kategoritë e klasave, shtesa e nivelit të kualifikimit që shpërblen nivelin arsimor të kërkuar për pozicionin përkatës të punës, si dhe shtesa për vjetërsi në punë, në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Elementet përbërëse të pagës bruto mujore (paga për pozicion, shtesa për vjetërsi në punë dhe shtesa e nivelit të kualifikimit) për secilën klasë të përcaktuar në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, si dhe vlerat për secilin element janë të njëjta me ato të miratuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për pagat e nëpunësve civilë në institucionet e administratës shtetërore.
4. Përfitojnë shtesë për kushte pune nëpunësit, si më poshtë vijon:
a) Titullari i institucionit në masën 150 000 lekë/muaj;
b) Drejtori në Drejtorinë e Menaxhimit të Godinave Shtetërore, drejtori në Drejtorinë e Udhëtimeve dhe Akomodimit dhe drejtori në Drejtorinë e Eventeve dhe Trajtimit të Personaliteteve, në masën 40 000 lekë/muaj;
c) Shefi i sektorit të udhëtimeve, shefi i sektorit të akomodimeve, shefi i sektorit të projektimit dhe planifikimit të hapësirave, shefi i sektorit të administrimit dhe mirëmbajtjes, shefi i sektorit të mobilimit dhe infrastrukturës së brendshme, shefi i sektorit të godinave qeveritare, shefi i sektorit të ideimit dhe organizimit, shefi i sektorit të zbatimit dhe shefi i sektorit të trajtimit të personaliteteve, në masën 35 000 lekë/muaj;
ç) Shefi i sektorit të shërbimeve të përgjithshme në Kryeministri në masën 50 000 lekë/muaj;
d) Specialisti i udhëtimit, specialisti i akomodimit, specialisti inxhinier, specialisti arkitekt “interior design”, specialisti i restaurimit, specialisti i logjistikës/terrenit, specialisti i organizimit, specialisti i shërbimit në sektorin e trajtimit të personaliteteve dhe specialisti arkitekt projektues, në masën 30 000 lekë/muaj;
dh) specialisti i arkivit dhe protokollit në masën 5 000 lekë/muaj;
e) specialisti në sektorin e godinave qeveritare në masën 25 000 lekë/muaj.
Por përse Rama kundërshton rritjen e pagave për gjyqtarët, por rrit pagën e Drejtorit të Shërbimeve Qeveritare, po aq sa e kërkojnë magjistratët në vend?
Duhet të nënvizojmë se një gjyqtar i paguar është më i pavarur, në drejtësinë që duket se më fund po funksionon në vendin tonë, duke çuar në pranga zyrtarë të lartë të qeverisë.
Nga ana tjetër, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare është hallkë e drejtpërdrejtë e ekzekutivit.
Duhet thënë se drejtësia i ka trazuar qetësinë kryeministrit Edi Rama, së fundmi me marrjen të pandehur të zv.kryeministres, Belinda Balluku, ndërsa më herët gjatë këtij viti me arrestimin e kryebashkiakut, Erion Veliaj.