Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj për një masë më të butë sigurie se ajo e “arrestit me burg”. Beqaj, i cili kërkon lirinë ndodhet në burg për shkak të abuzimeve me fondet e BE, teksa ishte në krye të SASPAC. GJKKO rrëzoi po ashtu kërkesën për zbutjen e masës së sigurisë edhe për bashkëpunëtorin e tij, Ermal Kurtulaj.
Vendimi erdhi pasi ka dyshime që Beqaj dhe Kirtulaj mund të arratisen jashtë vendit.
Ndërkohë në seancën e sotme, gjyqtarja e çështjes pranoi kërkesën e SPAK për zgjatjen me tre muaj të afateve hetimore dhe të paraburgimit për të akuzuarit.
Ilir Beqaj, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikollaj u arrestuan më 4 korrik të këtij viti me urdhër të SPAK, lidhur me hetimet për dosjen e SASPAC, ku Beqaj dyshohet se ka abuzuar me fondet e Bashkimit Evropian gjatë kohës kur ishte në krye të kësaj agjencie.
Kujtojmë se Beqaj po hetohet edhe në lidhje me koncesionin e Sterilizimit, ku në pranga ka rënë ish-zv.ministrit Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni që fitoi koncesionin, Ilir Rrapaj.