“Bëni hile me numrin e shtretërve”, Rama presion hoteleve: Po shqyrtojmë një opsion, 65 për qind parapagim nëse nuk doni kontrolle gjatë pikut

Kryeministri i vendit, Edi Rama, në takimin me sipërmarrësit e rinj në Sarandë “kërcënoi” strukturat hoteliere të vendit me kontrolle nga Tatimet nëse nuk i binden një marrëveshjeje, që sipas tij po hartohet pas konsultimeve me ekspertë ndërkombëtarë.

Rama theksoi se këtyre strukturave do t’u prezantohet një opsion, sipas të cilit do t’u jepet mundësia të pranojnë një paradeklarim me marrëveshje 65 për qind të kapaciteteve, me qëllim formalizimin e tregut.

Ai theksoi se bizneset bëjnë hile me mosdeklarimin e saktë të shtretërve dhe ky fenomen duhet të frenohet.

“Duke bërë ekspertim me ekspertizë ndërkombëtare kemi vendosur që të japim një opsion strukturave hoteliere për të pranuar një paradeklarim me marrëveshje që në periudhën e pikut, të paguajnë 65 për qind, nëse nuk duan asnjë kontroll. Besoj është shumë e ulët në raport me të vërtetën. Duam ta fillojmë me këtë, dhe kush paguan 65 për qind të zënë për gjithë periudhën maj-shtator, nuk ka asnjë kontroll. Por ka pas edhe 30 për qind të periudhës së dimrit që bën një lloj balance për të krijuar mundësinë që të mbahen minimumet e stafeve kështu që ata që e pranojnë marrëveshjen nuk do të kenë kontroll nga tatimet. Paguajnë 65 dhe 30. Është bërë konsultim me operatorë. Janë parë disa praktika dhe për të mos hyrë me forcë dhe për të mos krijuar shqetësime te biznesi juaj, por edhe për të filluar formalizim gradual, ky është një opsion që mund ta zgjidhni ose jo, atëherë do të përballeni me kontrollet që do të kenë shumë më të ashpra.”, u shpreh ai.