BE synon taksë të re për cigarët elektronike: “Vaping-u” po vret fëmijët tanë

Komisioni Evropian është vënë në ofensivë ndaj industrisë së cigarëve elektronike, me synimin për të barazuar taksimin e tyre me atë të produkteve tradicionale të duhanit. Komisioneri i BE-së për Tatimet, Wopke Hoekstra, ka ngritur alarmin për ndikimin që këto produkte po kanë tek të rinjtë, duke theksuar se industria po i targeton fëmijët me aroma të ëmbla dhe tërheqëse.

Sipas tij, strategjia e industrisë së vaping është e qëllimshme dhe e rrezikshme, pasi krijon varësi ndaj nikotinës që në moshë të vogël. Ai ka përmendur edhe rastet personale, duke treguar se fëmijët e tij janë kuriozuar për këto produkte për shkak të aromave si luleshtrydhe apo karamele.

Plani i propozuar nga Komisioni parashikon një rritje të ndjeshme të akcizës për cigaret dhe duhanin e rrotullueshëm, si dhe përfshirjen e produkteve të reja si vape-t. Kjo nismë ka shkaktuar reagime të forta nga industria e duhanit, e cila paralajmëron për pasoja në vende pune dhe ekonomi, ndërkohë që Komisioni argumenton se kostot shëndetësore që sjell përdorimi i këtyre produkteve janë shumë më të larta.

Ndërkohë, vende të ndryshme të BE-së kanë qëndrime të ndryshme mbi vaping-un. Disa e shohin si alternativë më të sigurt për duhanpirësit që kërkojnë të heqin dorë nga cigarja tradicionale, ndërsa të tjerë i kërkojnë Komisionit rregullore më të ashpra për të kufizuar aksesin dhe tërheqjen e tyre tek të miturit.

Organizata të njohura shëndetësore evropiane kanë dalë në mbështetje të nismës, duke paralajmëruar për një krizë të mundshme në shëndetin kardiovaskular nëse nuk merren masa të menjëhershme.

Ndërkohë, Komisioni Evropian pritet të përfundojë së shpejti vlerësimin për Direktivën mbi Produktet e Duhanit, që pritet të sjellë rregulla edhe më të ashpra për përdorimin e vape-ve në të gjithë bllokun.