BE nis javën vendimtare me bisedime me Zelenskyn dhe përpjekje për të shpëtuar huanë prej 210 miliardë eurosh

Bashkimi Evropian po hyn në një javë kritike diplomatike, teksa përpiqet të mbrojë Ukrainën nga një marrëveshje paqeje e pafavorshme e negociuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, si dhe të shpëtojë një plan financiar prej 210 miliardë eurosh për ta mbajtur Kievin ekonomikisht funksional.

Pas një sërë sulmesh të ashpra nga Uashingtoni, përfshirë deklaratën e Donald Trump për POLITICO se udhëheqësit evropianë janë “të dobët”, ditët në vijim pritet të jenë një provë serioze për unitetin dhe fuqinë politike të BE-së.

Të hënën, liderët evropianë do të takohen në Berlin me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe përfaqësues amerikanë, në përpjekje për të ndikuar në marrëveshjen e paqes. Paralelisht, në Bruksel, ministrat e Jashtëm të BE-së dhe diplomatët do të tentojnë të bindin qeveritë skeptike evropiane që kundërshtojnë planin e huasë shumë miliardëshe për Ukrainën.

Të enjten, të 27 liderët e BE-së do të mblidhen në Bruksel për një samit që cilësohet si një nga më vendimtarët e viteve të fundit. Në sfond qëndrojnë kritikat e Trumpit, i cili ka thënë se Evropa “flet, por nuk prodhon rezultate”, si dhe paralajmërimet e forta të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për kërcënimin rus.

“Ne jemi objektivi i radhës i Rusisë dhe tashmë jemi në rrezik,” deklaroi Rutte javën e kaluar. “Rusia e ka rikthyer luftën në Evropë dhe ne duhet të përgatitemi për një konflikt në përmasa që përjetuan gjyshërit tanë.”

Në këtë kontekst, udhëheqësit evropianë e shohin këtë javë si ekzistenciale. Në Berlin pritet të zhvillohet një takim i nivelit të lartë mes liderëve të Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe ndoshta Francës, me pjesëmarrjen e mundshme të Jared Kushnerit dhe të dërguarit special amerikan Steve Witkoff, së bashku me presidentin Zelenskyy.

Sipas zëdhënësit të kancelarit gjerman Friedrich Merz, Stefan Kornelius, pas takimit fillestar pritet t’u bashkohen edhe krerë shtetesh dhe qeverish evropiane, si dhe drejtuesit e BE-së dhe NATO-s. Presidenti francez Emmanuel Macron nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen, por ka zhvilluar një bisedë telefonike me Zelenskyn të dielën.

Takimi shihet si përpjekja e fundit e Evropës për të ndikuar në marrëveshjen përfundimtare të paqes, pas reagimeve të ashpra ndaj një plani me 28 pika të hartuar nga Witkoff, i cili – sipas raportimeve – është përgatitur me ndihmën e zyrtarëve të Kremlinit.

Aktualisht, fokusi është te një amendament me 20 pika i hartuar nga Ukraina dhe aleatët e saj evropianë, i cili i është dorëzuar Uashingtonit. Një nga çështjet më të ndjeshme mbetet fati i territoreve ukrainase të pushtuara nga Rusia.

Trump ka propozuar largimin e forcave ukrainase dhe ruse nga këto zona dhe krijimin e një zone të çmilitarizuar ekonomike ku të operojnë interesa amerikane – një ide që Ukraina e ka refuzuar kategorikisht.

Udhëheqësit evropianë këmbëngulin se nuk mund të ketë lëshime territoriale pa garanci të forta sigurie për Ukrainën. Në një sinjal fleksibiliteti, Zelenskyy deklaroi se është i gatshëm të heqë dorë nga kërkesa për anëtarësim në NATO, nëse vendi i tij përfiton garanci kolektive sigurie nga SHBA, BE, Kanadaja dhe Japonia.

Ndërkohë, BE-ja po përballet me përçarje serioze lidhur me planin për të përdorur asetet shtetërore ruse të ngrira, rreth 210 miliardë euro, për financimin dhe armatosjen e Ukrainës. Belgjika, Italia, Malta, Bullgaria dhe Çekia kanë shprehur kundërshtime, duke kërkuar alternativa të tjera.

Një diplomat i BE-së paralajmëroi se shtimi i kundërshtimeve po e vështirëson arritjen e një marrëveshjeje politike këtë javë. Megjithatë, disa diplomatë këmbëngulin se plani mbetet në fuqi dhe se ende nuk po shqyrtohet një “plan B”.

“Vendimi për asetet ruse është vendim për të ardhmen e Evropës dhe do të përcaktojë nëse BE-ja mbetet një aktor relevant,” tha një zyrtar gjerman. “Nuk ka alternativë tjetër.”