BE-ja duhet të reformohet së brendshmi para se të nisë zgjerimin e ri

Nga Oana Popescu-Zamfir “Carnegie Europe”

Hapja e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, dhe miratimi i paketës së ndihmës prej 50 miliardë eurosh, shënoi kulmin e përgjigjes strategjike të Bashkimit Evropian ndaj luftës së Rusisë kundër Ukrainës, si dhe të ndryshimit të mëvonshëm në qasjen strategjike ndaj çështjeve të sigurisë.

Momenti gjeopolitik i krijuar nga lufta, ishte “ngjitësi” që mbajti bashkë udhëheqësit e BE-së në premtimin e tyre fillestar, ndonëse më pas pasoi një “ortek” mendimesh të dyta të ndryshme nga të parat. Po të mos kishte qenë lufta në Ukrainë, është e sigurt se çështja e zgjerimit të unionit do të kishte vazhduar të zvarritej.

Dhe kjo e fundit do të kënaqte si liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë shumë entuziastë për reformat që u duhet të kryejnë, por edhe për qeveritë e vendeve BE-së, të cilat ngurrojnë të pranojnë zgjerimin e mëtejshëm në një kohë krize të brendshme.

Në rrethana të tjera, një udhërrëfyes për integrimin në BE të Ukrainës dhe Moldavisë, do të kishte qenë me siguri diçka e paimagjinueshme. Por përtej miratimit formal në Këshillin Evropian, shumë pak gjëra kanë ndryshuar. Në dhjetorin e vitit të kaluar, ne pamë kulmin e  atij momenti gjeopolitik.

BE-ja ofroi gjithçka që ishte gati të jepte, dhe tani është kthyer në pozicionin e mëparshëm.

Shumica e shteteve anëtare dhe Komisioni Evropian, e pranojnë se pushtimi rus i Ukrainës e ka ndryshuar ndjeshëm situatën e sigurisë së vetë unionit. U ndërmorën hapa të paprecedentë si vendosja e sanksioneve gjithëpërfshirëse, heqja dorë nga importi i energjisë nga Rusia, ripërtëritja e qasjeve të vjetra mbrojtëse, dhe ofrim i mbështetjes ushtarake dhe financiare për Ukrainën.

Por BE-ja nuk ka treguar ende se është e gatshme dhe e aftë të jetë një lojtare me ndikim gjeopolitik, dhe të rishqyrtojë mënyrën e saj të veprimit. Qasja e saj ndaj zgjerimit mbetet në shumë aspekte e njëjtë. Plani i Rritjes, do t’i afrojë me tregun e përbashkët 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

Megjithatë, veprimet balancuese të Serbisë dhe Hungarisë midis BE-së dhe sfidantëve të saj – duke marrë para nga të dyja palët, ndërsa vazhdojnë praktikat antidemokratike të liderëve të tyre – tregojnë se rritja ekonomike dhe integrimi, nuk sjellin zhvillim demokratik dhe një përputhshmëri vlerash.

Ajo që u propozon Brukseli shoqërive thellësisht të zhgënjyera dhe qeverive shumë oportuniste të rajonit, është shumë larg një riorganizimi strategjik, i cili do të ofronte stimujt e nevojshëm për reformat strukturore apo përafrimin e qartë me BE-në sa i përket politikës së jashtme dhe sigurisë.

Që nga 24 shkurti i vitit 2022, BE-ja nuk ka dalë me një ide më të mirë se si ta mbështesë integrimin e Ukrainës dhe Moldavisë. Dhe tani situata është bërë akoma më e ndërlikuar. Rreshtimi aktual entuziast ndaj aspiratave demokratike dhe opsionet gjeopolitike, mund të zhduken si pasojë e zhgënjimit ndaj mungesës së përparimit drejt anëtarësimit, apo nga një marrëveshje e mundshme paqeje me Rusinë në kurriz të Ukrainës, e shkaktuar nga lodhja nga lufta apo nga një mandat i ri presidencial i Donald Trump në Shtetet e Bashkuara.

Si Moldavia ashtu edhe Ukraina, do të përballen me sfida të brendshme shumë të forta edhe nëse përmirësohet situata e sigurisë. Qeveria pro-demokratike në Kishinau mund të rrëzohet. Ndërkohë Ukraina mund të ketë vështirësi në vazhdimin e reformave të brendshme, paralel me  luftën ndaj pushtuesve rusë, sidomos nëse ajo që pason në marrëdhëniet me BE-në është një proces i gjatë, reciprokisht zhgënjyes pa shpërblime konkrete dhe plot teknikalitete.

Këshilli Evropian e cilësoi hapjen e negociatave si një provë të vendosmërisë së tij kolektive. Në fakt, testi i vërtetë do të jetë nëse BE-ja do të arrijë të ofrojë një proces të besueshëm që prodhon arritje konkrete, dhe rezultati i të cilit do të përbëjë një hap madhor e strategjik, siç ndodhi me pranimin e vendeve ish-komuniste në vitet 2004-2007.

Për më shumë se 6 vite, asnjë nga vende kandidate të Ballkanit Perëndimor nuk ka mbyllur asnjë kapitull të vetëm të negociatave. Edhe vendet që nuk janë ende kandidate zyrtare, nuk janë të përgatitura për anëtarësimin. Sfidat shumë më të mëdha që ka sot Ukraina, nuk mund të zgjidhen me një nivel kaq të ulët angazhimi dypalësh.

Për më tepër, për ukrainasit është ekzistenciale pasja e një arsyeje për të vazhduar luftën. Është e pamundur që Kievi të ulet dhe presë. Përkundrazi, ai mund të jetë një negociator shumë i vështirë. Ndaj Brukselit mund të detyrohet të ofrojë shpërblime të ndërmjetme dhe të një rëndësie strategjike.

Pra një integrim gradual domethënës, si sektorial ashtu edhe politik, i cili mund t’u japë vendeve kandidate përfitime të dukshme. Kjo nuk duhet bërë vetëm për të motivuar ukrainasit, apo për të shmangur një reagim të ashpër si pasojë e pakënaqësisë, oportunizmit apo nacionalizmit.

Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin, po synon të fitojë ndikim vendimtar në marrëveshjet e sigurisë në kontinentin e vjetër, nëse BE-ja nuk do të mundet të mbledhë pas vetes të gjithë fqinjët e saj, nga Ballkani Perëndimor në Moldavi dhe Gjeorgji, atëherë Kremlini do të ketë fituar.

Dhe në këto kushte, edhe momenti aktual do të ishte një dështim i rëndë gjeopolitik. A do të sillte me vete pasoja negative shumë serioze. Hapja e negociatave me Kievin, do të ndryshojë si zgjerimin ashtu edhe vetë BE-në. Blloku me 27 anëtarë, ka prirjen të tërhiqet përballë sfidave komplekse por edhe zgjedhjeve të ardhshme.

Megjithatë, do të ishte e gabuar nëse BE-ja do të angazhohej në kërkim të metodave alternative  për të mbajtur në “dhomën e pritjes” Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor. Unioni nuk ka luksin të ketë një zonë gri paqëndrueshmërie të përhershëm rreth kufijve të tij.

Po ashtu, ai nuk mund të vazhdojë të ecë përpara me politika të pareformuara, siç është Politika e Përbashkët Bujqësore dhe Politika e Kohezionit, të konsideruara si pengesa madhore për integrimin e Ukrainës. Në fakt, këto politika janë të vjetruara dhe të kushtueshme, ashtu si sistemet vendimmarrëse që lejojnë përdorimin e vetove nga shtetet anëtare, të cilat bllokojnë edhe mekanizmat e brendshëm.

Në vend se t’u lërë terren euroskeptikëve dhe nacionalistëve, dhe të zvogëlojë ambiciet e saj, Bashkimi Evropian – që më shumë gjasa do të arrijë të ruajë një shumicë demokratike pas zgjedhjeve të qershorit për Parlamentin Evropian – duhet të vazhdojë me ngulm reformat e brendshme që kërkohen. Ato do të shkaktojnë njëfarë kaosi, por sigurisht shumë më pak se lufta.

Shënim:Oana Popescu-Zamfir, është drejtore e qendrës së pavarur të mendimit mbi politikën e jashtme, Global Focus Center, me qendër në Bukuresht, Rumani.