Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në lidhje me vendimin e BE-së për heqjen e të gjitha sanksioneve ndaj Kosovës.
Në një reagim në rrjete sociale, teksa ka përshëndetur këtë vendim, Berisha thotë se kjo është një arritje e rëndësishme.
Sipas kryedemokratit, “ky vendim është një goditje e rëndë dhe e merituar për dyshen famëzezë të Ballkanit Rama-Vuçiç dhe qëndrimet e tyre armiqësore ndaj Kosovës”.
“Një vendim i drejtë i BE-së për Kosovën. Të dashur miq, Bashkimi Europian hoqi të gjitha sanksionet për Kosovën. Partia Demokratike përshëndet Kosovën për këtë arritje të re e të rëndësishme. PD shton se ky vendim është një goditje e rëndë dhe e merituar për dyshen famëzezë të Ballkanit Rama-Vuçiç dhe qëndrimet e tyre armiqësore ndaj Kosovës!”,- shprehet Berisha.
Bashkimi Evropian i ka hequr të gjitha masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, është bërë e ditur nga Komisioni Evropian.
Gjatë debatit që është zhvilluar për Raportin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Jiri Plecity, përfaqësues i KE-së, konfirmoi heqjen e masave financiare.
“Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian e ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa dhe gjithashtu po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë në mënyrë që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur në agjendën e saj të BE-së”, u shpreh ai.