BE dhe SHBA thirrje Kosovës: Nisni punën menjëherë për asociacionin, asnjë parakusht nuk pranohet

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, si dhe zëdhënësi i BE Peter Stano, i kanë bërë thirrje Kosovës  të avancojë me krijimin e Asocacionit të komunave me shumicë serbe.

Stano u pyet disa herë nëse BE-ja ka qëndrimin se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por gjatë përgjigjes ai më shumë u përqendrua në thirrjen që Kosova të nisë punën për themelimin e tij pa vonesa.

“Kur është fjala për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, qëndrimi i BE-së është shumë i qartë. Në vazhdimësi është përsëritur në disa konkluza të ministrave të Jashtëm dhe në fund në deklaratën e 27 shteteve anëtare për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. BE-ja dhe vendet anëtare kërkojnë që themelimi i Asociacionit të nisë pa vonesa shtesë dhe pa parakushte dhe secila palë e di mirë se çfarë duhet të bëjë, sepse nuk është hera e parë që kjo çështje është në tavolinë”, tha Stano.

Qeveria e Kosovës ka shprehur drojën se Asociacioni mund të cenojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës por Hovenier siguroi se SHBA-të nuk do të lejojnë që të krijohet një Republika Sërpska përmes Asocacionit.

“Besoj se duhet të ketë një lloj besimi te SHBA-të dhe zotimet që ne kemi bërë se nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhëNuk e di se si Shtetet e Bashkuara mund ta ndryshojnë mbështetjen e tyre për Kosovën në lidhje me përkushtimin tonë ndaj popullit të Kosovës dhe idesë së Kosovës si një shtet sovran, i pavarur, demokratik multietnik…

Ne shpenzojmë kaq shumë kohë dhe përpjekje për të avancuar këtë vizion që Kosova të jetë ajo që është, një shtet me madhësi të vogël ose të mesme i Ballkanit Perëndimor që është plotësisht i integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Vizioni ynë për një Evropë ‘të plotë, të lirë, dhe në paqe’ nuk mund të realizohet pa qenë pjesë e kësaj edhe Kosova. Dhe për këtë arsye ne kemi bërë kaq shumë përpjekje. Kështu e shohim ne”, tha ambasadori amerikan.