Bashkimi Evropian ka arritur një marrëveshje të re për rregullat që lidhen me trajtimin dhe strehimin e maceve dhe qenve, duke shmangur ngërçin politik që ka bllokuar ligje të tjera për mirëqenien e kafshëve.
Sipas marrëveshjes së re, e cila u arrit të martën mes Parlamentit Evropian, vendeve anëtare dhe Komisionit, do të vendosen standarde të unifikuara në mbarë BE-në për mënyrën se si duhet trajtuar dhe mbajtur macet dhe qentë. Po ashtu, do të zbatohen masa të reja për identifikimin dhe gjurmimin e tyre me synim goditjen e tregtisë së paligjshme.
Propozimi u paraqit nga Komisioni në vitin 2023 dhe tani është dakorduar në mënyrë të përkohshme pas negociatave politike mes Parlamentit dhe Këshillit, bashkëligjvënësit e BE-së.
Ndërkohë, rregullat e propozuara për përditësimin e standardeve të mirëqenies së kafshëve gjatë transportit, të prezantuara po në vitin 2023, ende nuk kanë hyrë në fazën e negociatave politike. Dosja është bllokuar nga mijëra amendamente në Parlament, ndërsa vendet anëtare nuk po arrijnë konsensus në Këshill.
Megjithatë, ministri danez i Bujqësisë, Jacob Jensen, e cilësoi marrëveshjen e së martës si “të parën në llojin e saj” dhe “një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur për mirëqenien e kafshëve në Evropë.”
Edhe eurodeputetja Veronika Vrecionová nga grupi ECR, negociatorja kryesore e Parlamentit, tha se rregullat e reja do ta bëjnë “më të vështirë për operatorët abuzivë dhe të paligjshëm të fshihen”, duke goditur ata “që i shohin kafshët vetëm si mjet fitimi të shpejtë.” Ndërkohë, deputetja Tilly Metz nga të Gjelbrit deklaroi se BE-ja “më në fund po i jep fund trendit të tregtisë së paligjshme dhe po ndërmerr një hap të rëndësishëm përpara.”
Procesi, megjithatë, nuk ka qenë pa përplasje politike. Amendamentet e minutës së fundit ndryshuan pozicionin e komisionit parlamentar para votimit të përgjithshëm. Edhe pse shumica dërrmuese e eurodeputetëve miratuan mandatin e negociatave, grupi politik i negociatores kryesore vuri në dyshim sa realist ishte qasja para fillimit të bisedimeve.
Planet për ta bërë të detyrueshme mikroçipimin dhe regjistrimin e të gjithë qenve dhe maceve në BE u përplasën gjithashtu me pengesa juridike në Këshill, edhe pse përfundimisht u përfshinë në marrëveshjen finale me disa kufizime të vogla.