Bashkëshortja e kryebashkiakut të ri të Patosit e shpallur në kërkim për korrupsion

Fation Duro është 35-vjeçari që do të drejtojë Bashkinë e Patosit. Ai fitoi bindshëm ndaj rivalëve të tij në zgjedhjet e 14 Majit, me një diferencë prej 5 mijë votash. Duro, një inxhinier elektrik në profesion, nuk ka publikuar asnjë jetëshkrim të tij në faqen zyrtare të bashkisë, ndërsa në rrjetin Linkedin gjejmë disa të dhëna sipas të cilave ai ka punuar prej afro 9 vitesh në OSHEE, duke mbajtur pozicione drejtuese të kompanisë publike në Qarkun e Fierit.

Më pas, ai shënon se në tetor të 2022 e la Shqipërinë për një jetë më të mirë në Britaninë e Madhe ku nisi punë në profesionin e tij në kompaninë Salisbury Group. Vetëm pak muaj më pas, ai lë sërish Anglinë për të ardhur në Patos ku zyrtarizohet si kandidat i Partisë Socialiste.

CV në Linkedin

Jeta për Fation Duron do të ndryshonte këtë pranverë kur ai u shpall kandidat i Partisë Socialise për Bashkinë e Patosit, duke fituar me 8 mijë e 211 vota. Ai ka pak ditë që ka bërë betimin dhe ka nisur punën si kreu i Bashkisë së Patosit.

Referuar regjistrit të Gjendjes Civile, Fation Duro rezulton i martuar me Kozeta Statha, inxhiniere ndërtimi në profesion. Por prej një viti e gjysëm, ajo rezulton në kërkim nga Drejtësia Shqiptare me akuzën e shpërdorimit të detyrës pasi dyshohet për korrupsion gjatë kohës që drejtonte Kadastrën e Sarandës.


Gjendja civile konfirmon martesën

Kozeta Statha ka një karrierë të gjatë në sektorit publik. Ajo ka studiuar në Universitetin Politeknik të Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, Dega Ndërtim. Siç publikon vetë ajo në rrjetin Linkedin, ka shërbyer si asistente e nënkryetarit së Kuvendit të Shqipërisë në vitet 2013-2015. Më pas do të shkonte pranë OSHEE si specialiste dhe tek Albpetrol, deri në vitin 2018.

Ajo u zgjodh si anëtare e Këshillit Bashkiak të Sarandës më 2015 nga lista e PBDNJ-së dhe në janar 2018, do të emërohej si drejtuesja e re e Portit të Sarandës. Në korrik të 2020, Kozeta Spatha u emërua në krye të Kadastrës së Sarandës.


CV në Linkedin

Më 24 mars 2022, Policia e Sarandës finalizoi operacionin ‘heshtja 2” për të zbatuar 4 masa arresti me burg të Gjykatës së Sarandës. Policia arriti të arrestojë 3 ish zyrtarë të ASHK me përjashtim të Kozeta Stathës, e cila vendosi të arratiset dhe të jetë në kërkim që prej asaj dite.

Referuar njoftimit zyrtar të Policisë, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën duke pajisur në mënyrë të kundërligjshme, me certifikata pronësie, disa shtetas, për pasuri, tokë dhe prona, në zonat bregdetare të qytetit të Sarandës dhe të Ksamilit. “Si rezultat i këtij operacioni, është bërë i mundur dokumentimi i plotë ligjor i aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e ndërtimeve pa leje, në Sarandë dhe Ksamil, si dhe janë ekzekutuar masat e sigurisë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, ndaj 4 shtetasve”, thuhet në njoftimin zyrtar të datës 24 mars, 2022.

Ndërsa kolegët e saj janë në gjykim, Kozeta Spatha është larguar nga Shqipëria duke refuzuar të përballet me drejtësinë.

Gjykata e Sarandës i ka vendosur Kozeta Stathës masën e arrestit në burg dhe ndodhet e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga organet ligjzbatuese.

Media Ditari u interesua pranë Prokurorinë dhe Policinë e Sarandës. Burime zyrtare konfirmojnë Kozeta Statha është larguar nga vendi dhe besohet se ka udhëtuar në disa vende, si Itali, Britani e Madhe dhe Danimarkë.

Ndërkaq, referuar formularit të dekriminalizimit të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Fation Duro shënon faktin se ka jetuar në datat 17.10.2022 deri 12.02.2023 në Britaninë e Madhe si dhe jep adresën e saktë të vendbanimit të tij, ç’ka dyshohet se çifti i ri u larguan së bashku nga Shqipëria. Planet ranë rrugës pasi Duros i doli emrin për të kandiduar në Patos.


Formulari i dekriminalizimit dorëzuar e firmosur në KQZ

Media Ditari kërkoi një koment nga kryetari i Bashkisë së Patosit nëse ai ka njoftuar paraprakisht Partinë Socialiste mbi faktin se bashkëshortja e tij ndodhet në kërkim nga drejtësia për korrupsion, si dhe nëse ai ka ende kontakte me bashkëshorten e tij. Kreu i ri i Bashkisë refuzoi.

Gjithashtu, Media Ditari kërkoi një koment edhe nga kreu politik i Qarkut të Fierit për Partinë Socialiste, Taulant Balla, nëse ai ka pasur dijeni mbi këtë fakt, por nuk morëm asnjë përgjigje.