Bardhi zbulon axhendën e opozitës dhe fton sërish Bashën: Të reflektojë dhe t’i kthehet misionit opozitar

Gazment Bardhi ka folur për mediat pas mbledhjes së 43 deputetëve opozitarë me kërkesë të tij. AI u shpreh se ky ishte një takim i vonuar, por shtoi se në këtë mbledhje u morën 3 vendime të rëndësishme.

“Ishte një takim i nevojshëm, i vonuar i deputetëve të opozitës. Sot në takimin me 43 deputetë të PD-së, të Aleancës për ndryshim, kemi caktuar një pjesë të axhendës për sesionin e ri parlamentar. Synimi ynë janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Është vendosur si prioritet i punës, të gjithë deputetët e opozitës, të atyre që e ndjejnë veten deputetë, duke vijuan punimet në Komisionet hetimore. Është e papranishme që opozita që ka denoncuar masakrën zgjedhore e 14 majit, që mos të çojë para një pjesë të interesit të opozitës.”, tha ai.

“Vendimi i parë që morëm është padyshim rikonceprimi i detyrave dhe përbërjes së komisionit zgjedhor. Do paraqesim në nisje të sesionit ngritjen e tre komisioneve hetimore, për koncesionet PPP dhe problematika në shëndetësi, çështja e dytë ka të bëjë me të dhëna personale të qytetarëve, çështja e patronazhistëve dhe dyshimet për ndërhyrje në sistemin TIMS, dhe së treti jemi njohur me të dhëna sesi zyrtarë publike në konflikt interesi marrin vendime për të pasuruar familjarë dhe miq, dhe komisioni do jetë i fokusuar në shpërdorimin e detyrave”, u shpreh më tej.

Më herët Lulzim Basha deklaroi se i uron ““udhë të mbarë në bunkerin anti-amerikan” Gazment Bardhit. I pyetur për këtë deklaratë, Bardhi tha se s’ka koment, por e ftoi Bashën të reflektojë dhe ti kthehet aksionit si opozitar.

“Nuk kam asnjë koment, ftesa për Bashën është t’i rikthehet misionit si opozitar. Apeli im është të reflektojë për momentin që ndodhet Shqipëria dhe që mosfunksionimi i opozitës mund t’i shkaktojë vendit”, tha ai.