Bardhi mbledh sot grupin e PD, pritet të vendoset se si do të jetë aksioni i opozitës në vazhdim

Gazment Bardhi ka thirrur mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD në orën 12:00.

Mbledhja vjen pas protestës së 7 tetorit dhe pritet të merret vendimi për vazhdimin e aksionit.

Në këtë mbledhje, pritet vendimmarrje edhe për seancën e nesërme parlamentare.

Nesër mbahet seanca e radhës plenare dhe mbetet për t’u parë se si do të veprojë opozita. Dy seanca më parë  ata dogjën karriget jashtë sallës së Kuvendit, teksa më vonë u përjashtuan për disa ditë.

 Pavarësisht kësaj, në seancën e fundit deputetët e opozitës shkaktuan tensione jashtë Kuvendit. 

Mbledhja e grupit të PD vjen para vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila shqyrton sot në orën 12:30 kërkesën e avokatëve të deputetit Ervin Salianji për shtyrje të ekzekutimit të dënimit me burg.