Barazim heroik në minutat e fundit! Shqipëria merr 1 pikë ndaj Kroacisë

Barazim heroik i Shqipërisë ndaj Kroacisë, falë një goli në minutën e 95-të të Klaus Gjasulës, me ndeshjen që përfundoi me rezultatin 2-2.

Ndeshja nisi mirë për Shqipërinë, që në minutën e 11-të shënoi golin e avantazhit me një gjuajtje me kokë të Qazim Laçit nga brenda zonës, ndërsa me këtë rezultat do të mbyllej pjesa e parë, edhe pse kuqezinjtë kishin edhe disa raste të tjera të pastra.

Në pjesën e dytë trajneri Sylvinho e tërhoqi skuadrën mbrapa, ndërsa bëri edhe disa zëvendësime që nuk ndikuan siç duhej në lojën e kuqezinjve. Në dy minuta, Kramariç në të 74-ën dhe autogoli i Gjasulës në të 76-ën, i dhanë avantazhin Kroacisë.

Pas këtij momenti, kuqezinjtë u dukën sikur e humbën ndeshjen, por futja në lojë e Arbër Hoxhës ndryshoi gjithçka. Ishte një aksion i nisur nga ai, që dha një asist për Gjasulën, me këtë të fundit që nuk gaboi brenda zonës dhe solli festën kuqezi në stadiumin e Hamburgut.

Pas golit, edhe Daku pati një mundësi të mirë në fund, por nuk arriti të pasonte siç duhej. Tashmë ndeshjen e fundit e luajmë me Spanjën në Duseldorf në 24 Qershor, teksa vetëm një fitore na kualifikon për në fazën tjetër.