Banorët protestues të Rrjollit kanë reaguar ashpër për vendimin e Sekretariatit të Etikës për të përjashtuar nga Kuvendi me 20 ditë kryetarin e Partisë Mundësia Agron Shehaj, pas ngritjes së zërit në seancë plenare për shqetësimin e tyre për vjedhjet e pronave të tyre.
Nga ambientet e jashtme të Komisariatit të Policisë Shkodër, ku sot u liruan me ‘detyrim paraqitje’ 8 protestues të Rrjollit, banorët e kanë quajtur të turpshëm përjashtimin nga Kuvendi të Agron Shehajt pikërisht sepse foli për dhunën e ushtruar nga policia ndaj qytetarëve protestues që duan të mbrojnë pronat e tyre.
“Agron Shehaj paraqiti foton e një djali që kam qenë prezent aty se e kisha 2 metër larg kur u godit nga punonjsi i sigurisë. Por ditën më pas, të atit të tij i thyen këmbën dhe e goditën e gjakosën besoj e keni parë në të gjitha mediat.
Edhe ai përsëri përfundoi këtu në burg. Dhe Agron Shehaj ngre një shqetësim, përjashtohet. Ky është një turp”, shprehen banorët.
“Grupit Parlamentar që zgërdhihen atje turp të kenë. Ai kryetar parlamentar që ka përjashtuar Agron Shehajn ai me shpirt e me zemër e me optimizëm, turp të kenë të shkojë në shtëpi ai kryetari parlamentar që ka përjashtuar atë.
Për çfarë ta përjashtojë? Se është duke e ndjekur rrugën ligjore, ne me tokat tona, me shpirt e me zemër, kokën do lëmë aty. I lumtë Agron Shehajt”, u shpreh një tjetër qytetar.
Banorët e Rrjollit iu bënë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të bëhen pjesë e protestës që ka thirrur Partia Mundësia këtë të enjte në orën 18.00 përpara Parlamentit.
Sot në protestë janë me qindra banorë të Rrjollit, të Durrësit, të Thethit, të Pogradecit, të Kombinatit, të cilët kanë vuajtur në kurrizin e tyre abuzimet e shtetit me pronat e tyre.
“Unë protestoj për ta në Kuvend, ata ‘protestojnë’ për mua në Shkodër, teksa përballen me gjyqet e policisë private. Ju, njerëzit e ndershëm, punëtorë e të mirë të këtij vendi, jeni arsyeja pse unë luftoj”, shprehet Shehaj në rrjetet sociale.
Partia Mundësia e konsideron çështjen e pronës si një nga shqetësimet kryesore me të cilën shqiptarët janë përballur në 35 vite dhe që duhet të marrë një zgjidhje përfundimtare.