Banorët e Durrësit thirrje qytetarëve: Ejani më 5 Mars në protestën para Parlamentit kundër grabitjes së pronave

Banorët e Durrësit u kanë bërë thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria t’u bashkohen protestës kundër grabitjes së pronave së organizuar nga Partia Mundësia, që do të zhvillohet të enjten në ora 18:00 përpara Parlamentit.

Në një mesazh publik, arkitektja dhe urbanistja Entela Koja Spahivogli theksoi se protesta nuk është vetëm për banorët e Durrësit, por për të gjithë qytetarët që përballen me probleme pronësie në Shqipëri. Sipas saj, qytetarë nga Durrësi, Rrjolli, Thethi, Pogradeci dhe zona të tjera të vendit do të jenë së bashku për të kërkuar respektimin e të drejtës së pronës.

“Në emër të banorëve të Durrësit, unë, Entela Koja, ju ftoj të vini dhe të na bashkoheni në protestë kundër grabitjes që po na bëhet në pronat tona. Por në këtë protestë nuk ftojmë vetëm banorët e Durrësit që preken nga ky projekt, por të gjithë banorët e Durrësit që kanë një problem pronësie. Të gjithë banorët, jo vetëm të Durrësit por edhe të Tiranës, të cilët kanë problem pronësie.

Dhe jemi falënderues Partisë Mundësia, e cila kësaj radhe na bashkoi të gjithëve bashkë. Protesta jonë do të jetë në orën 18:00, përpara Parlamentit, ashtu si kemi bërë shumë protesta të tjera për të treguar që ne nuk reshtim në të kërkuarin e të drejtës së pronës sonë.” – bëri thirrje Entela Koja Spahivogli.

“Të enjten përballë Parlamentit do të jenë protestuesit e Durrësit, ata të Rrjollit, të Thethit, të Pogradecit dhe të gjithë Shqipërisë. Hajdeni të protestojmë së bashku, përballë Parlamentit, në vendin ku në fakt bëhen vjedhjet dhe grabitjet e pronës së shqiptarëve prej 35 viteve. Ju presim!” – deklaroi kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj.

Thirrja e Entela Kojës vjen një ditë pasi edhe Luçjana Kokaj, e kthyer në një simbol të rezistencës së banorëve të Rrjollit, u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë t’i bashkohen protestës së nesërme të organizuar nga Partia Mundësia në mbrojtje të pronave.