Banorët e 3 fshatrave në Berat protestë për rrugën, kryetari i Bashkisë nuk u jep zgjidhje: S’kemi fonde!

Banorët e tre fshatrave në Berat, Gjerovan, Mbolan dhe Veleshnje kanë protestuar këtë të enjte para Bashkisë së Beratit, duke kërkuar përmirësimin e rrugës që lidh këto fshatra.

Disa prej banorëve, u takuan me kryetarin e Bashkisë së Beratit, Ervin Ceca për t’i shprehur atij shqetësimin e tyre, duke i treguar gjendjen e vështirë të rrugës dhe nevojën për të ndërhyrë menjëherë.

Por duket se kryetari i Bashkisë Berat nuk u ka dhënë asnjë zgjidhje. Njëri prej banorëve tha për mediat se Ervin Ceca u kishte thënë se nuk kishin fonde për të rregulluar rrugën.

Ai tha se ata kujtohen për këta banorë vetëm për të marrë rrogat dhe më pas ikin dhe nuk kujtohen më.

“Bëmë takim me kryetarin. Ai na tha; nuk kemi fonde për të bërë rrugën. Ai tha; ‘bllokoni rrugën, bëni greva, bëni ça të doni. Nuk pyesim për ju’, na tha. Ata të gënjejnë tërë ditën. Vinë marrin votat dhe pastaj ikin. Nuk na dhanë shpresë, na thanë ‘s’kemi fonde!’”, pohoi njëri nga protestuesit.