‘Bajrat’ kallëzojnë në SPAK Marjana Koçekun

Anëtarë të fisit Bajri në Shkodër kanë kallëzuar në SPAK për shpifje deputeten Marjana Koçeku, e cila një ditë më parë përmes një statusi në Facebook pretendoi se ishte kërcënuar prej tyre.

Në kallëzimin e bërë publik për mediat, Bajrat theksojnë se pretendimi i Koçekut është i pavërtetë dhe i pambështetur në asnjë provë të paraqitur.

Në kallëzim thuhet se anëtarë të familjes Bajri ndodhen aktualisht të privuar nga liria (në burg), dhe nuk kanë pasur asnjë mundësi faktike për të kryer veprimet që u atribuohen.

Më tej shkruhet se “Deklarata nuk i drejtohet një individi të caktuar, por familjes/fisit Bajri në tërësi”.

“Akuza dhe kërcënimi publik shtrihen kështu mbi çdo anëtar të familjes, përfshirë persona që nuk janë palë në asnjë procedim, të afërm dhe fëmijë të mitur, duke cenuar nderin, dinjitetin dhe sigurinë e tyre, dhe duke paragjykuar edhe ata që mbrohen nga prezumimi i pafajësisë. Shtrirja kolektive e deklaratës, zotimi publik për ta “shkatërruar” familjen “sa ta kem jetën” dhe konteksti i mundshëm i gjakmarrjes, së bashku me faktin që deklarata vjen nga një person me autoritet publik dhe është përhapur gjerësisht, përbëjnë rrethana rënduese që shumëfishojnë dëmin dhe rrezikun ndaj familjes”.

Sipas kallëzuesve, ka dyshime se këto deklarata mund të jenë bërë edhe për përfitim politik e publik, në kontekstin e zhvillimeve të fundit politike të deputetes; megjithatë, vlerësimi i motivit i mbetet hetimit.