Nëse takimet me liderët e shteteve të mëdha e të pasura Presidentët e shteteve të tjera i shfrytëzojnë për të kërkuar më shumë grante për qytetarët e tyre, Presidenti shqiptar Bajram Begaj ishte më modest në atë çfarë i “lypi” homologut turk Rexhep Tajip Erdogan.
Për Begajn, do të mjaftonte një godinë Presidenciale më e madhe se kjo me 600 metër katrorë që zotëron aktualisht. E teksa ia thoshte këto fjalë Erdoganit duke qeshur me zot, në mendje i kalonte Pallati Presidencial në Turqi, ajo godinë madhështore ku qëndronte lideri turk.
Madje, Begaj u shpreh se kërkesën ia kishte bërë edhe Edit (Ramës), por me sa duket ky i fundit as nuk e kishte marrë parasysh, ndaj vendosi që ta hidhte njëherë fjalën nga Erdogan, pasi Rama ia dëgjon fjalën vëllait të tij.
Por, çfarë ka bërë Bajram Begaj për të merituar një Presidencë më të madhe?
Asgjë, përveçse i ka shërbyer qeverisë në çdo vendim që kjo e fundit ka marrë, duke dekretuar edhe vendimet që më pas janë kundërshtuar nga Gjykata Kushtetuese.
Bajram Begaj është Presidenti që mashtroi studentët e Mjekësisë, duke u thënë se do ta diskutojë ligjin që i detyronte ata të punojnë 5 vite në Shqipëri përpara se të merrnin diplomën, por e miratoi në heshtje këtë ligj, ashtu siç miratoi edhe ligjin për kultivimin e hashashit.
Presidenti duhet edhe të jetë mbi palët politike, por Bajram Begaj vetëm është bërë palë me mazhorancën, që i dha votat për ta ulur në Presidencë, me kushtin që t’i bindet atij që e zgjodhi, kryeministrit Edi Rama.
Bajram Begaj është i akuzuar në SPAK për tjetërsimin e pronave të ushtrisë, por kjo nuk e pengoi Ramën që ta zgjidhte në krye të shtetit. Për Ramën, futja në politikë e një personi nën hetim apo të lidhur me krimin është shumë normale, pasi e ka bërë disa herë.
Rama i merr nga krimi i organizuar dhe u jep imunitet për t’i shpëtuar drejtësisë, ndërsa më pas i nxjerr sërish nga politika po me drejtësinë.
Për Begajn, kjo nuk është normale, pasi duhet t’i bëjë “ysmetin” punës, sepse e di që për sa kohë të jetë në Presidencë, dosja e tij në SPAK do të qëndrojë në sirtar, ndërsa kur të përfundojë mandati, ndoshta faqet e saj do të shfletohen një e nga një.
Sot, Presidenti i Shqipërisë ka një rol shumë të kufizuar për shkak se i gjithë pushteti është i kryeministrit, i cili merr të gjitha vendimet me ndihmën e “ushtarëve” në Parlament, që ngrenë e ulin kartonin sa herë i ngrihet dhe i ulet Ramës mendja për të miratuar ndonjë ligj.
Bajram Begaj dhe gjithë ata që do e pasojnë, nëse do të veprojnë po njësoj si ai, duhet të jenë të kënaqur me atë godinë që kanë dhe me rrogën mbi 4 milionë lekë, pasi nuk i japin asgjë Shqipërisë, por vetëm i marrin.
“S’dua sheqer se jam i ëmbël vetë”, deklaronte Begaj në një intervistë të pak kohëve më parë, por kësaj çorbe që po gatuhet në Shqipëri, po t’i shtosh edhe ëmbëlsinë e Begajt, nuk dihet se çfarë shije do të merrte.