Avokati Sokol Mëngjesi është shtruar në intubim pas dhunës së ushtruar ndaj tij mëngjesin e sotëm. Intubimi i avokatit vjen pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të tij në orët e fundit, pasi ka marrë hematoma në kokë dhe trup.
Mësohet se njëri prej personave është identifikuar por ende nuk është arrestuar pasi policia ka kërkuar në banesën e tij por nuk është gjetur. Kamerat e sigurisë kanë kapur 3 persona, të cilët pas ngjarjes janë larguar me një makinë.
Policia falë këtyre pamjeve ka mundur të identifikojë njërin nga agresorët si dhe mjetin e përdorur. Po punohet për identifikimin e dy të tjerëve.
Momentalisht po bëhen kontrolle në Tiranë me qëllim vënien e të identifikuarve në pranga.
Në lidhje me gjendjen e tij, avokatit i është ripërsëritur skaneri për të parë gjendje e hematomave.
Bluzat e bardha thonë se duhet të presin 48 orë për të parë si do të reagojnë parametrat shëndetësore të avokatit.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili tha se policia e shtetit po punon për zbardhjen e ngjarjes.