Ardhja e avokatit amerikan Joshua Roberts në Shqipëri u trumbetua me të madhe nga mbështetësit e Erion Veliajt.
Avokati theksoi se ndodhej në Shqipëri në rolin e vëzhguesit për çështjen e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës.
Ai u paraqit sot në SPAK, por nuk u lejua të jetë i pranishëm në seancën e Apelit të Posaçëm ku po shqyrtohet ankimimi i Veliajt mbi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Gazetari i njohur Flamur Vezaj, thotë se ardhja e avokatit amerikan në Tiranë është një show i kushtueshëm.
Me një reagim në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, Vezaj jep disa argumente, që sipas tij dëshmojnë që ardhja Joshua Roberts është “ushqim” për militantët e Veliajt dhe nuk ka asnjë efekt përtej kësaj.
Sipas tij, avokati në fjalë nuk përfaqëson asnjë institucion zyrtar amerikan dhe nuk ka lidhje me ndonjë çështje që përfshin interesat e Presidentit Donald Trump, siç dhe u lakua në disa media.
Gazetari Vezaj, mes tjerash, ngre disa pikëpyetje se kush i paguan faturat për avokatin dhe me çfarë parash bëhet ky shërbim ndaj Erion Veliajt.
Reagimi i gazetarit:
“Avokati i ardhur nga Amerika për Erion Veliaj, një show i kushtueshëm?”
##Avokati Joshua Roberts nga zyra ligjore “Kasowitz Benson Torres”, me qendër në Nju Jork, ka udhëtuar drejt Tiranës për të ndjekur procesin gjyqësor të vlerësimit të masës së sigurisë për kryetarin e Bashkisë së Tiranës në Gjykatën e Apelit.
E para dhe më kryesorja: ai nuk ka të drejtë të ushtrojë profesionin e avokatit në Shqipëri. Pra, është thjesht një figurë në skenën e madhe të këtij shfaqjeje. Me fjalë të tjera, kemi një “Erdhi një avokat nga Amerika për Erion Veliajn!”, për t’u shitur militantëve idenë se ky zotëria qenka përfaqësuesi i interesave amerikane dhe se mesazhet nga Amerika vijnë përmes tij.
Por në të vërtetë, ky avokat nuk përfaqëson asnjë institucion zyrtar amerikan dhe nuk ka lidhje me ndonjë çështje që përfshin interesat e Presidentit Donald Trump. Ai është thjesht një avokat privat i sjellë për këtë rast specifik.
Sa kushton ky avokat për një shfaqje mediatike?
Le t’i hedhim një sy zyrës ku punon ky avokat. “Kasowitz Benson Torres” është një ndër 32 firmat ligjore me tarifat më të larta në gjithë Amerikën. Sipas medias “Above the Law”, në një artikull të publikuar në 2024 mbi firmat ligjore me tarifat më të kripura, kjo zyrë renditet e 12-ta në SHBA. Dhe sa kushton një orë konsulence me ta? Diku midis 2,100 dhe 2,600 dollarë.
Por për hir të së vërtetës, ky çmim nuk është aq i lartë në krahasim me tarifat që disa studio ligjore shqiptare arrijnë të marrin. Për shembull, sipas dosjes së SPAK, zyra e Ajola Xoxës është paguar 13,000 euro për një konsulencë një orëshe nga Fusha shpk! Me këtë ritëm, avokati nga Amerika doli më i lirë!
Megjithatë, pyetja kryesore mbetet!?
• Kush ia paguan faturën kësaj zyre ligjore nga Nju Jorku për ta sjellë këtë avokat në Shqipëri vetëm për t’u shfaqur në media?
• Kush e ka firmosur kontratën me këtë studio ligjore?
• Sa ka kushtuar udhëtimi, akomodimi dhe shpenzimet e tjera të avokatit?
• Kush i ka mbuluar këto shpenzime, duke qenë se llogaritë e Erion Veliajt janë sekuestruar?
• Për çfarë qëllimi erdhi realisht në Tiranë?
Thonë ia paguan i vëllai Arbër Veliaj, por me ligjin “Antimafia” dhe faktin që i vëllai Erjon Veliaj është në hetim për pastrim parash, edhe ky “paguesi” i faturave është subjekt i këtij hetimit financiar nga SPAK! Se mos dal pastaj që me lekët që ia ka dhënë i vëllai, kryetar Bashkie, në emër të projekteve, ky ka kursyer dhe pagoi avokatin Amerikan! A do këtë transparenc!???
Nga ana tjetër, gjatë një vështrimi në faqen zyrtare të “Kasowitz Benson Torres” tregon se avokati Joshua Roberts është i specializuar në kontrata dhe çështje tregtare. Pra, duket se është më i aftë për të interpretuar marrëveshjet e kompanive dhe OJQ-ve të lidhura me Bashkinë e Tiranës sesa për të mbrojtur Veliajn në një proces penal.
Gjithsesi, të shohim se si do të shkojë gjyqi dhe mbi të gjitha, a ia vlejti fatura e kripur për të sjellë një avokat nga Amerika në këtë show gjyqësor?
##
P.S. Në emër të dyshimit të arsyeshëm, SPAK, a keni nis hetime e përgjime për gjyqtarin e Apelit se thonë se po tentojnë ta korruptojnë (me modelin e hetimit të Gjykatës Kushtetuese)!